Shkruar nga David Grigorian
Gjatë një fjalimi të mbajtur në parlamentin gjerman më 18 mars, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë Friedrich Merz tha: “Kjo që po shohim prej 3 vitesh, është një luftë kundër Evropës, dhe jo vetëm një luftë kundër integritetit territorial të Ukrainës!”.
Fjalimi ishte pjesë e planit të tij, për shpalljen e një projektligji që parashikon një fond të madh për mbrojtjen dhe infrastrukturën, i mbështetur nga premtimi për të bërë “çfarëdolloj gjëje që duhet” për të mbrojtur lirinë dhe paqen.
Ndërsa s’ka dyshim se Merz dhe kolegët e tij gjermanë dhe evropianë, e kuptojnë se çfarë është në rrezik, dhe ndonëse historia e luftës Rusi-Ukrainë e 3 viteve të fundit na ka mësuar diçka, ata mund të mos i kuptojnë plotësisht manovrat e mundshme të Rusisë.
Siç ndodh shpesh në çdo rast, dështimi për të parë panoramën e madhe, rrezikon që zgjidhjet e propozuara të mos shkojnë thellë ose mjaftueshëm larg. Realiteti në një periudhë afatmesme – nëse ushtria ruse lejohet të rigrupohet pas luftës në Ukrainë – mund të jetë shumë më i zymtë sesa mendohet.
Ai mund të përfshijë në listën e synimeve grabitqare të Moskës, edhe vende që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Natyrisht, Merz dhe liderë të tjerë të Evropës nuk janë përgjegjës për sigurinë dhe mirëqenien e vendeve jashtë perimetrit të Evropës.
Por mosnjohja e rëndësisë së vendeve të Kaukazit dhe Azisë Qendrore, si dhe Bjellorusisë dhe Moldavisë për të ardhmen e Evropës, do të ishte një qasje dritëshkurtër. Lejimi që Putin t’i rikthejë këto vende nën kontrollin e Rusisë, do t’i jepte atij qasje në një listë të re burimesh, përfshirë rekrutët ushtarakë, për të zhvilluar luftërat e tij të ardhshme në Evropë.
Dhe ja se si do të ndodhë kjo. Lejimi i humbjes së Ukrainës dhe që Putin ta shesë atë si fitore, do të ushqejë me siguri ambicien e tij më të madhe, dhe do përdoret si justifikim për agresionin e ri. Pasi të lejohet të ripërtërijë ushtrinë e tij, hapi i parë i Putin do të ishte ribashkimi i Bashkimit Sovjetik.
Në disa raste, Putinit nuk do t’i duhet shumë kohë për ta arritur këtë qëllim. Bjellorusia ka të ngjarë të jetë “dominoja” e parë që do të bjerë, pasi ajo është tashmë pjesë e orbitës së Moskës. Duke u përballur me një presion serioz nga brenda, presidenti Lukashenko nuk është në gjendje t’i bëjë presion Putinit, ndaj do të jetë i lumtur të bëhet një anëtar themelues i BRSS-2.0.
Nga ana tjetër, nuk do të nevojiten shumë përpjekje për të aneksuar zyrtarisht Armeninë, një vend që ka qenë nën kontrollin e Putinit më shumë se çdo ish-republikë sovjetike. Kryeministri Pashinyan, që nuk e ka sfiduar në asnjë mënyrë kuptimplotë këtë dominim që nga ngjitja e tij në pushtet në vitin 2018, do të vazhdojë me kënaqësi në këtë kurs.
Në të kundërt, popullariteti i tij i dobët do ta bëjë të lehtë për Kremlinin që ta zëvendësojë atë me një besnik më popullor. Pas Armenisë, nënshtrimi i Gjeorgjisë do të jetë një përfundim i paramenduar. Partia qeverisëse e vendit “Ëndrra Gjeorgjiane” është pro-ruse.
Dhe ndërsa publiku gjeorgjian është kryesisht pro-perëndimor, kundërshtimi i tij do të shtypet nga përdorimi i drejtpërdrejtë i forcës, si nga veriu ashtu edhe nga jugu, duke mos i lënë udhëheqjes së vendit asnjë zgjidhje reale, përveçse të nënshkruajë hyrjen në Bashkimin e ri Sovjetik.
Azerbajxhani mund të ketë fillimisht njëfarë mundësie manovrimi dhe mund të shmangë aneksimin e drejtpërdrejtë, për shkak të lidhjeve të tij të forta me Turqinë dhe marrëdhënieve tregtare dhe të mbrojtjes në rritje me Izraelin. Por kjo do të jetë e përkohshme.
Rusia – ndoshta në aleancë me Iranin – mund ta nënshtrojë lehtësisht diktatorin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, dhe mes shumë mjeteve të tjera, do të luajë edhe me kartën e pakicave kombëtare. Minoritetet e rëndësishme Lezgin, Talish dhe Tat në vend, mund të nxiten nga Rusia që të kërkojnë autonomi duke e sfiduar kështu autoritetin e Aliyev, të trashëguar nga babai i tij.
Republikat e Azisë Qendrore, nuk kanë asnjë shans t’i bëjnë ballë presionit të Putinit. Kazakistani me një kufi të pambrojtur prej mbi 7500 km me Rusinë, ka të ngjarë të kapitullojë brenda disa orësh nëse sulmohet drejtpërdrejt, ndaj ka po aq të ngjarë të pranojë ofertën për t’u bashkuar me BRSS e re.
Duke pasur parasysh korrupsionin e madh, pakënaqësinë sociale, dhe mbështetjen tek Rusia për punë dhe dërgesat e emigrantëve, popullsia në Kirgistan, Taxhikistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan, ka gjithashtu të ngjarë të joshet t’i bashkohet perandorisë së re.
Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive e drejtuar nga Rusia, do të bënte ligjin dhe do t’i detyrojë republikat e sapobashkuara të BRSS 2.0 që të kontribuojnë në luftën e Moskës ndaj vendeve evropiane. Ri-integrimi i mëvonshëm ekonomik do të ishte një hap i logjikshëm.
Për të parandaluar shfaqjen e një skenari të tillë oruellian, do të duhet para së gjithash një përgjigje shumë më e fortë ushtarake kundër agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë.
Ndërsa buxheti i ri mbi riarmatimin i propozuar nga udhëheqësit evropianë, do të ndihmojë në modernizimin e aftësive luftarake të kontinentit, dhe do të shtojë rezervat e pakësuara, këto masa do të bëjnë pak për të adresuar sfidat afatshkurtra në fushat e betejës së Ukrainës.
Për fatin e mirë të Evropës, Ukraina ka tani për tani ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në kontinent sa i përket përvojës luftarake. Prandaj, duhet të bëhen përpjekje të reja për ta fuqizuar atë plotësisht. Kjo e fundit mund të jetë pozitive edhe nga pikëpamja e politikës së brendshme.
Opinioni publik në mbarë Evropën, ka të ngjarë të favorizojë opsionin e financimit të ushtrisë ukrainase në vend të dërgimit të trupave nga vendet e tyre, qoftë edhe pas nënshkrimit të traktatit të paqes. Ekonomia ruse është në gjendje të vështirë, dhe dëmtimi i aftësisë së saj për të financuar përpjekjet e luftës duhet të jetë objektivi i dytë.
Po ashtu, duhet të forcohet regjimi i sanksioneve ndaj Moskës, duke synuar boshllëqet aktuale dhe ushtruar presion politik mbi vendet që e kanë ndihmuar Rusinë të shmangë sanksionet. Çështja e aseteve financiare ruse të ngrira në institucionet evropiane, duhet të jetë gjithashtu në tryezën e diskutimeve si një masë e kohës së luftës.
Së fundi, duhet bërë akoma më shumë për ta mposhtur Rusinë në lojën e saj: përdorimin e fuqisë së butë. Duhen marrë të gjitha masat e mundshme kundër aseteve dhe interesave të saj strategjike në vendet fqinje, përfshirë mbështetjen e lëvizjeve opozitare pro-perëndimore, përdorimin më aktiv të medias dhe propagandës, si dhe një ndarje më të gjerë të të dhënave të inteligjencës për të sabotuar përpjekjet dashakeqe të Rusisë në mbarë Evropën dhe ish-republikat sovjetike.
Nëse Putin gjen një partner të gatshëm te presidenti Trump në qëndrimin e tij revizionist për historinë dhe kufijtë e Ukrainës, është shumë e vështirë të matet rreziku për Evropën. Nëse lejojmë që Putin ta rindërtojë Bashkimin Sovjetik, kjo do të ketë pasoja shumë më serioze për Evropën, duke kërkuar përpjekje të përbashkëta konvencionale, por edhe qasje jo konvencionale.