Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur në lidhje me vizitën e Shefit të CIA-s në Kosovë, William Burns, dhe takimin e tij me kryeministrin Kurti.
Berisha tha se kjo vizitë është një ngjarje me peshë të madhe politike dhe strategjike.
Ai tha se takimi Burns-Kurti mund të shihet si një përpjekje për të rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën
“Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë është një ngjarje me peshë të madhe politike dhe strategjike. Prandaj, ky takim mund të shihet si një përpjekje për të rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës. Mesazh i njëjtë për interesin gjeostrategjik dhe pasojat që mund të prodhojë destruktiviteti i shteteve të apostrofuara ndaj gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës amerikane për rajonin, sigurinë dhe zhvillimin e demokracisë. Në thelb, kjo vizitë dërgon disa mesazhe të rëndësishme për krerët e shtetit dhe për politikën e brendshme e të jashtme të Kosovës, ashtu si edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke treguar rëndësinë që i japin stabilitetit dhe sigurisë” deklaroi Berisha.
Sipas deputetit të PDK-së, kjo vizitë mund të ketë shërbyer si një paralajmërim që institucionet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që mund të rrezikojnë stabilitetin e brendshëm dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Po ashtu, vizita e shefit të CIA-s mund të përçojë një mesazh të qartë për krerët e shtetit të Kosovës në lidhje me domosdoshmërinë e veprimeve të kujdesshme dhe të koordinuara në kontekstin e politikës së brendshme dhe të jashtme. Në veçanti, mund të ketë shërbyer si një paralajmërim që institucionet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që mund të rrezikojnë stabilitetin e brendshëm dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të. Vizita mund të ketë për qëllim të rrisë vetëdijen ndërmjet liderëve kosovarë për rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Çështje të tilla si afera e rekrutimit të individëve nga ambasadat e huaja apo çdo veprim që lidhet me shërbimet inteligjente duhet të trajtohen me kujdes të madh për të shmangur keqkuptimet dhe për të mbajtur një raport të mirë me aleatët ndërkombëtarë”, tha tutje Berisha.
Ai tutje potencon se vizita e shefit të CIA-s është një kujtesë për krerët e shtetit të Kosovës, për lidhjen e SHBA-ve për të ardhmen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.
“Takimi mes Kurtit dhe Drejtorit të CIA-s me siguri ishte i paraparë sipas agjendës me të cilën ka lëvizur drejtori në rajonin e Ballkanit. Por, në agjendën e tij të takimeve mund të bëhen ndryshime në kontekst të përçimit të mesazheve. Kurtit me siguri duhet t’i jetë njoftuar për veprimet e njëanshme që kanë shkaktuar konfrontim të drejtpërdrejtë me shtetin amerikan (rastet e shumta të pakoordinuara) dhe cenimi i sigurisë nacionale amerikane. Mund të konkludohet se vizita e shefit të CIA-s është një kujtesë për krerët e shtetit të Kosovës se lidhja me Shtetet e Bashkuara është kyçe për të ardhmen e sigurisë dhe stabilitetit të vendit. Mesazhi kryesor i kësaj vizite duket të jetë nxitja për një qasje të matur, të koordinuar dhe të bazuar në partneritet me aleatët ndërkombëtarë, duke garantuar kështu një të ardhme më të sigurt për Kosovën dhe rajonin”, përfundoi Berisha.