Shkruan Binak Maxharraj
Së fundmi u mbajtën zgjedhjet e reja në Kosovë. KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare, ku LVV fitoi 42.30% të votave, PDK 20.29%, LDK 18.27% dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06%.
Sipas këtyre rezultateve, LVV siguroi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK-NISMA 8, ndërsa partitë e tjera morën 20 deputetë. Tani është koha për formimin e qeverisë Kurti 3. Megjithëse LVV është fituesja e zgjedhjeve, ajo nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, prandaj duhen negociata për një koalicion. Megjithatë, deri më tani partitë politike janë të ngurruara, duke mos bërë deklarata të hapura, por duke komunikuar fshehtas për mundësinë e ndonjë koalicioni.
LVV, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duhet të marrë iniciativën për negociatat. Mirëpo, kjo nuk po ndodh, pasi partitë opozitare janë të bashkuara në qëndrimin e tyre për të mos hyrë në koalicion me LVV-në. Megjithëse në media qarkullojnë skenarë të ndryshëm për formimin e qeverisë, mundësitë reale janë të kufizuara.
Alternativat kryesore për një qeveri të qëndrueshme janë koalicioni LVV-PDK ose LVV-LDK. Ekziston edhe mundësia që opozita të formojë qeverinë, por kjo do të ishte një zgjidhje afatshkurtër që do të çonte në zgjedhje të reja. Megjithatë, sipas qëndrimeve të partive opozitare, kjo është e vështirë të realizohet, veçanërisht për shkak të insistimit të LDK-së për të marrë postin e kryeministrit. Kjo kërkesë është e paarsyeshme, pasi LVV është fituese e zgjedhjeve dhe vetëm vota e qytetarëve përcakton se kush do të ketë pozitën e kryeministrit. Ka kaluar koha kur një parti me më pak deputetë mund të merrte postin e kryeministrit.
Në këtë situatë, askush nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja, sepse humbëset më të mëdha do të ishin partitë opozitare. Megjithatë, në mes të kësaj pasigurie politike, foli edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl, i cili theksoi se puna e parë që pret qeverinë e re është dialogu Kosovë-Serbi, një proces që po zgjat që nga viti 2016, pa ndonjë sukses të dukshëm.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk do të duhej që Kosova të mbetej e lidhur me tekat e Serbisë, e cila që nga fillimi ka qenë pala më e fortë në dialog. Kjo ndodhi sepse pala kosovare në vitin 2016 nuk insistoi që pas pavarësimit të mos kishte më dialog. Kështu, Kosova ra në grackën e Serbisë, pasi përfaqësuesit tanë ishin të dobët dhe jo këmbëngulës në mbrojtjen e interesave të vendit.
Dialogu, që fillimisht kishte për qëllim adresimin e pozitës së serbëve në Kosovë, rrëshqiti drejt çështjeve politike dhe territoriale, duke i dhënë Serbisë mundësinë të kërkojë ndryshim kufijsh. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shpesh ka deklaruar se Serbia nuk do të dalë nga ky proces pa marrë diçka nga Kosova, duke aluduar në veriun e pasur me pasuri nëntokësore.
Për më tepër, BE-ja, e cila ndërmjetëson dialogun, nuk ka treguar neutralitet. Nga Mogherini e deri te Borrelli, ndërmjetësuesit kanë qenë të anshëm në favor të Serbisë, duke ndihmuar në strategjinë e saj për të zvarritur dhe manipuluar dialogun.
Prandaj, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe të mos lejojë që çështja e territorit të futet në diskutimet e dialogut. BE dhe SHBA duhet ta kuptojnë se procesi i pavarësisë së Kosovës ka përfunduar me shpalljen e saj në vitin 2008. Dialogu duhet të jetë për çështje teknike, por nëse Serbia insiston në diskutimin e territorit, atëherë Kosova duhet të tërhiqet nga ky proces, pasi çdo vazhdim i tij është vetëm në favor të Serbisë, e jo të Kosovës.