Ka kaluar më shumë se një javë nga grabitja e armatosur në afërsi të qendrës tregtare “Albi Mall”, ku pati edhe të shtëna me armë dhe për pasojë dy persona u plagosën, njëri nga grabitësit dhe një pjesëtar sigurimi.
Dy të plagosurit që nga ajo ditë ndodhen në Qendrën Klinike Universitare, për shkak të gjendjes shëndetësore.
42-vjeçari, Fahri Ademi, pjesëtar i sigurimit në kompaninë “Istambul Ozel Guvenlik”, po merr trajtim në QKUK.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të tij, drejtori i Ortopedisë, Xhavit Gashi ka deklaruar se i plagosuri nuk është në gjendje stabile, dhe sipas tij, 42-vjeçari ka gjasa të mbetët i palëvizshëm.
“Dje kanë qenë kolegët nga reparti ynë dhe e kanë vizituar, në momentin që është bërë zgjimi nga anestezioni, në testimin preliminar nuk ka pasë lëvizje”.
“Sipas njohurive, sërish është dashtë të bëhet intubimi i pacientit pasi gjendja nuk ka qenë stabile. Nga ajo që kemi vërejtur ka plagë, të cilat e kanë dëmtuar në masë shumë të madhe boshtin kurrizor në pjesën e shpinës. Sipas të gjitha gjasave ka mbetur i palëvizshëm”, ka thënë Gashi.
Siç ka raportuar gazeta gjatë përleshjes, u plagos edhe njëri nga të dyshuarit, Milos Vukojevic, i cili po trajtohet në QKUK.