Të dyshuarit ishin me maska, policia jep detaje të reja rreth vrasjes që ndodhi mbrëmë në Prishtinë
Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, rreth orës 22:30 një person ka nxjerr armën me të cilën ka shtënë në drejtim të dy viktimave, njëri prej të cilit humbi jetën në emergjencën e QKUK-së.
IndeksOnline raporton se Naser Gashi u dërgua pothuajse pa shenja jete në QKUK, aty edhe ku ndërroi jetë.
Në raportin policor bëhet e ditur se të dyshuarit për incidentin kanë qenë të maskuar.
“Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në trajtim mjekësor”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i Naser Gashit është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërkohë, rreth trajtimit mjekësor të viktimave, mbrëmë u deklarua edhe mjeku kujdestar i Emergjencës, Agron Çitaku.
”Pasi është pranu në emergjencë, viktima ka ndërruar jetë. I plagosuri tjetër ka pësuar 3 plagë në trup, por e ka gjendjen stabile. Viktima i përket moshës 63-64 vjeçare. I plagosuri i parë ka ardhë rreth orës 22:35 minuta, që faktikisht ka qenë pothuajse pa shenja jete. I është bërë reanimimi i tij për gjysmë ore dhe ka ndërruar jetë. Diku pas 15 minutash ka ardhur i plagosuri tjetër, me tri plagë, por është në gjendje stabile. Pritet trajtimi i mëtutjeshëm i tij në ortopedi”, deklaroi mbrëmë Çitaku.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, pohoi se hetuesit policorë janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.
Akoma nuk dihen motivet që mund të kenë çuar në këtë incident tronditës.