Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet të lartë tri rastet tragjike të ndodhura gjatë tri ditëve të fundit, ku kanë humbur jetën katër persona. Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, ai u shpreh se vendosja e drejtësisë për viktimat është e domosdoshme.
“Fillimisht dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë qytetarët për katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe motivet e këtyre krimeve, në mënyrë që të sigurojmë drejtësi dhe të parandalojmë ngjarje të tilla në të ardhmen”, tha Kurti.
Ai theksoi se këto raste janë një alarm për shoqërinë dhe institucionet, duke shtuar se dhuna duhet të ndalet dhe të dënohet.
“Vrasja nuk është vetëm humbje e një jete, por edhe një plagë për gjithë shoqërinë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri tragjike që duhet të ndalet me çdo kusht. Kjo kërkon analizë të kujdesshme profesionale, veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka bërë thirrje për një reagim të fuqishëm institucional dhe shoqëror për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.