Sot është raportuar se, anëtarësimi në NATO dhe aktivizimi i fushatës së njohjeve janë vetëm disa prej kërkesave që Kosova thotë se ka shtruar në tavolinë, në këmbim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë çështje, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, Kosova gjendet seriozisht para testit të madh për çështjen e Asociacionit dhe tani për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, e cila po kërkohet të dialogohet në Burksel.
Sipas tij, edhe opozita është në dijeni për këtë çështje mjaft serioze e cila për Kosovën mund të sjellë pastaj në të ardhmën situata të vështira politike.
Sipas tij, Asociacioni do të jetë një test i nivelit të lartë kombëtar dhe shtetëror për Kosovën dhe partitë politike.
Ai kërkon konsensus politik ndërmjet partive politike shqiptare.
“Është e nevojshme që skena politike e Kosovës dhe bota akademike të bashkohen që të flasin e të vendosin, qoftë për qëndrimin pozitiv apo negativ, për të propozuar alternativën në nuanca të caktuara që qartëson ruajtjen e plotë dhe të pacenueshme të sovranitetit dhe integritetit të shtetit, dhe nga ana tjetër plotëson obligimin ndërkombëtar të marrëveshjes e cila e ka mbajtur peng Kosovën që nga viti 2013 e deri më sot”, thtoë Tërnava.
Ai shprehet se, kishte me qenë i mirëpritur që më në fund Kosova ta plotësoj kushtin që çështja jonë ta arrij qëllimin e plotë të pajtimit me Serbinë sipas marrëveshjes së Ohrit, të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
“Pas kësaj Kosova t’i arrij ato qëllimet e saja të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare si në BE, NATO, INTERPOL dhe OKB”, thotë ai.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.
“Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, tha Osmani për REL duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në muajt e parë të 2023-tës, por drejt zbatimit të saj nuk janë bërë hapa.
Edhe më pak premtues shihen muajt vijues deri te funksionalizimi i udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian dhe i administratës së re amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia.
Çështja e formimit të Asociacionit merr vëmendje të vazhdueshme që prej vitit 2013.
Palët kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për formimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.
Osmani tha se Kosova nuk po heziton ta dërgojë një draft të Perëndimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por se është kundër zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes.
Marrëveshja kërkon respektim të integritetit territorial të të dyja vendeve, dhe që Serbia të mos e kundërshtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Zyrtarë të lartë të Kosovës presin trajtim të barabartë nën udhëheqjen e re, diçka që ata vlerësojnë se nuk ka ekzistuar në vitet e fundit.
Ndër emrat e rinj dihet ai i Kaja Kallasit si kryediplomate e BE-së, dhe i Alexander “Sasha” Kasanofit si i dërguar amerikan për Ballkanin.
Të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i është zgjatur mandati deri në fund të janarit.