Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, William Burns, ka nisur një vizitë të pa paralajmëruar në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
Nga Agjencia e Inteligjencës Amerikane kanë thënë se nuk e komentojnë arsyen dhe orarin e udhëtimit të drejtorit të tyre.
Vizita e Burns në Sarajevë dhe më vonë në Beograd u mbajt sekrete edhe nga institucionet e të dyja shteteve. Sipas njoftimeve jozyrtare, shefi i CIA-s Amerikane në Bosnjë e Hercegovinë u takua me përfaqësues të komuniteti të inteligjencës, anëtarë të Presidencës, si dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi. Një zyrtar i qeverisë amerikane konfirmoi për mediat atje se ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, që përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Gjithashtu, raportohet se ata diskutuan për retorikën dhe veprimet shqetësuese të Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik.
Pas Bosnje e Hercegovinës shefi i CIA-s vizitoi Serbinë. Sipas mediave serbe Burns u takua me përfaqësues të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), por nuk u bënë të ditura temat që ishin në tryezë.
Edhe institucionet qendrore të Kosovës po e mbajnë të fshehur vizitën e shefit të Inteligjencës Amerikane, William Burns. Presidenca, Qeveria por as Agjencia e Inteligjencës të Kosovës nuk kanë dhënë hollësi rreth vizitës.
Ndërsa, anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Vendenis Lahu, e quan të rëndësishme vizitën e shefit të CIA-së Amerikane.
‘’Mendoj se vizita e drejtorit të CIA-së në Ballkan është shumë e rëndësishme sidomos për kohën në të cilën po bëhet në një kohë kur Ballkani ka qenë i trazuar dhe situata e sigurisë në përgjithësi ka qenë e acaruar”, deklaroi Lahu.
Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së Vendesin Lahu thotë se vizita e shefit të CIA-s ka të bëjë edhe me sinjalet për sulme të reja nga Serbia në veri të vendit.
‘’Ne kemi parë një retorik të ashpër të Serbisë e cila ka potencial për cenim të situatës në terren në pjesën veriore. Një vizitë e tillë është e rëndësishme”, tha Lahu.
Anëtari i Institutit të Kosovës për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Florim Rullani, tha se vizita e shefit të CIA-së në Ballkan është mesazh i qartë se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vende ku potencialisht mund të ketë ngritje të tensioneve për shkak të ndikimit të Serbisë.
‘’Mesazhi i qartë është për Serbinë se nuk do të lejohen të përsëritet rasti i Banjskës. Ndërsa, për Kosovën që të mos hapet ura e Ibrit pa koordinim”, tha Rullani.
Vizita e drejtorit të CIA-s Burns në rajon në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës.