Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një mocion për pranimin në prova materiale dokumente që pretendohet se janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Qeverisë së Përkohshme në Zonën e Dukagjinit.
Në mocionin e ZPS-së të dorëzuar më 10 mars 2025, thuhet se provat e propozuara mbështesin dhe plotësojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe të dokumenteve që si fakte së bashku demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke përfshirë Zonën Operative të Dukagjinit gjatë periudhës së aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas ZPS-së, këto dokumente mbështesin faktet që anëtarët e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit vepronin nën autoritetin dhe sipas udhëzimeve të të akuzuarve, Shtabit të Përgjithshëm dhe më vonë sipas Qeverisë së Përkohshme.
Po ashtu, ata pretendojnë se këto dokumente tregojnë se anëtarët e asaj që ata e quajnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, anëtarët e saj duke përfshirë të akuzuarit dhe disa anëtarë të UÇK-së që vepronin në Zonën e Dukagjinit si Lahi Brahimaj, kanë ndarë qëllim të përbashkët kriminal të cilin e realizuan personalisht dhe përmes strukturave që i kishin vendosur.
Zona Operative e Dukagjinit, sipas ZPS-së përfshinë Deçanin, Pejën, Gjakovën dhe pjesën e Komunës së Istogut e Klinës. Sipas tyre, kjo zonë shtrihej në rrugën kryesore të furnizimit nga Shqipëria dhe për këtë arsye ishte zonë strategjike e rëndësishme për të dy forcat kundërshtare (UÇK-në dhe palën serbe).
Sipas mocionit, ZPS-ja thotë se provat e propozuara, dëshmitë e dëshmitarëve si dhe faktet tregojnë se gjatë periudhës se aktakuzës, disa anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, nënkomandantin e Zonës së Dukagjinit- Nazmi Brahimajn, shefin e Inteligjencës- Faton Mehmetajn dhe komandantin e Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”- Idriz Balajn, identifikuan, morën në pyetje, kërcënuan, arrestuan, keqtrajtuan dhe vranë persona që i perceptuan si bashkëpunëtorë.
Veç kësaj, Prokuroria pretendon se veprimet e ngjashme këta persona i bënë edhe ndaj anëtarëve të LDK-së, FARK-ut, serbëve, romëve dhe personave të tjerë në dhe rreth Jabllanicës, si dhe vende të tjera të kësaj zone.
Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së aktakuzës, të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin të pranishëm në Jabllanicë dhe në vende të tjera të Zonës Operative të Dukagjinit duke bashkëvepruar dhe dhënë udhëzime këtyre anëtarëve të UÇK-së.
Në mocion, thuhet se provat e Prokurorisë tregojnë se Lahi Brahimaj ishte komandant në Jabllanicë si dhe vepronte si lidhës me Shtabin e Përgjithshëm në Zonën e Dukagjinit. Ndërsa, për Ramush Haradinajn ata thonë se ishte komandant i Shtabit të Gllogjanit.