Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të merr pjesë në ceremoninë e varrimit të babait.
Lajmi u bë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u shprehën të indinjuar me këtë vendim të kësaj gjykate.
Për vendimin ka reaguar edhe Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai tha se “refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm”.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Drejtësia që harron njeriun nuk është drejtësi!
Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij.
Në thelbin e çdo drejtësie të ndershme qëndron jo vetëm respektimi i ligjit, por edhe njohja e nevojave dhe të drejtave themelore të njeriut; e drejtës për t’u ndarë nga ai që të solli në jetë, për ta përshëndetur për herë të fundit, për të qëndruar pranë familjes në ditën më të rëndë.
Refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm.
Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por çnjerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj.
Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë.
E dhembshme dhe e papranueshme!