Shkruar nga Afrim Imaj
“Një grusht burrash kryelartë e dinjitet erdhën në Londër në Konferencën e Ambasadorëve dhe mbrojtën çështjen shqiptare, siç do ti kishte hije çdo delegacioni të shtetit më të fuqishëm të planetit” Aubrej Herbert që ka qenë pranë tyre ato ditë kritike, përshkruan në kujtimet e tij konsideratat më të mira për ta, duke filluar nga “Ismail Qemal Beu, një burrë me vizion, Mehmed Bej Konica përfaqësues i myslimaneve të Jugut, katoliku Filip Noga, imzot Fan Noli, ortodoks i Ibrik Tepesë dhe Faik Konica përfaqësuesi i emigrantëve shqiptarë të organizatës Vatra”. Në vijim të rrëfimit, konti britanik sjellë një panoramë të zhvillimeve gjatë luftërave ballkanike dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në sfidën historike për të ruajtur territoret e tyre. Sakaq, Aubrej Herbert, që ka ndjekur nga afër procesin e ndarjes së kufijve shtetëror pas shpalljes së pavarësisë, tregon me detaje ofensivën e fqinjëve jugor e verior për të copëtuar territoret e Shqipërisë. Nuk mungojnë në kujtimet e tij as stigmatizimit për figurantë veçanti që për interes të tyre kapërcenin çdo norme morale, madje edhe duke shitur interesin e kombit. Esad Pasha ishte njëri syresh, tregon konti Herbert, ai ishte gjithnjë i gatshëm të punonte për çdo armik të pasur të vendit të vet…
Shqiptarët dhe luftërat Ballkanike
Më 1913 delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Ismail Qemal Beu dhe me përbërje Mehmed Bej Konicën nga myslimanët e Jugut, katoliku Filip Noga, imzot Fan Noli, ortodoks i Ibrik Tepesë dhe Faik Konica, që përfaqësonte emigrantët shqiptarë të organizuar në Federatën Vatra, erdhën në Londër për të shtruar çështjen e kombit të tyre në Konferencën e Ambasadorëve.
Më 6 mars 1913 u vra në Selanik mbreti Jorgo i Greqisë dhe në fron erdhi Konstandini. Ndërkohë lufta po ecte keq për turqit: Selaniku ishte marrë pa ndonjë vështirësi; Adrianopoli tregoi një rezistencë heroike; Manastiri vazhdonte i rrethuar. Në Shkodër Hysein Riza Pasha u vra sapo kishte lënë shtëpinë e Esad Pashës pas një darke që kishin pasur së bashku. Në Ballkan ka qenë zakon që pas darke miku shoqërohet nga një-dy vetë e me fener prej të zotit të shtëpisë. Husein Riza Beu u largua nga shtëpia e Esadit i vetëm. Pas tri minutash ai u kthye përsëri, por i vdekur. Bounou kim yapdi-Kush e bëri këtë? pyeti Esad Pasha. Sen bendenu bilirsin- Vetë Zoti e di më mirë se unë, tha Husein Rizai dhe vdiq.
Esad Pasha, që pas kësaj mori drejtimin, ra në marrëveshje me serbët. Kritikët e tij thonë se ana financiare ishte pjesa më kryesore e kërkesave dhe iu premtua principata e Shqipërisë Qendrore. Ai u largua nga Shkodra me nderime ushtarake më 23 prill. Fuqitë e mëdha nuk pranuan okupimin malazez të Shkodrës dhe më 13 maj trupat ndërkombëtare me në krye admiralin Sër Cecil Burney hynë në qytet pas largimit të trupave malazeze.
Në fillim të korrikut shpërtheu Lufta e Dytë ballkanike. Në Londër, Konferenca e Ambasadorëve deklaroi pavarësinë e Shqipërisë dhe mori përsipër caktimin e një princi evropian dhe të një komisioni ndërkombëtar për kontrollin e financave. Njëkohësisht më 12 gusht konferenca caktoi dy komisione ndërkombëtare për përcaktimin respektiv të kufinjve veriorë dhe jugorë të shtetit të ri. Nënkoloneli Granet ishte përfaqësuesi anglez për veriun, ndërsa për jugun majori Doughty Ëylie; në komisionin e financave Britania përfaqësohej nga Z.Lamb.
Me nënshkrimin e paqes më 10 gusht 1913, sipas Traktatit te Bukureshtit, serbët, grekët dhe malazezët nisën një fushatë “propagandistike” në zonat shqiptare të aneksuara prej tyre, duke djegur fshatrat dhe dëbuar banorët e tyre. Më 13 dhjetor Princi Uilliam Vidi u shpall princ i Shqipërisë. Në 19 dhjetor Komisioni i kufirit të jugut ia dha Korçën dhe Gjirokastrën shqiptarëve duke urdhëruar ndërkohë grekët të evakuonin këta rajone. Më 1914 Princ Vidi u vendos në Durrës. Prej fillimit deri në fund të mbretërimit të tij të shkurtër, gusht të po këtij viti, princ Vidi nuk ishte gjë tjetër veçse viktimë e rrethanave të krijuara. Ai ishte vërtet një njeri i nderuar, që u përpoq të bënte detyrën e tij, por i ngjante një Davidi bile edhe pa hobenë biblike në luftimin me Goliathin. Kuptohet që Italisë nuk i interesonte që Shqipëria të kalonte nën influencën gjermane; Rusia ishte tutorja dhe autore e agresionit serbo-malazez; mbreti Konstandin dëshironte zgjerimin e kufijve helenikë dhe Esadi ishte gjithnjë i gatshëm të punonte pa hezitim per çdo armik të pasur të vendit të vet.
Kështu, çuditërisht Shqipëria që kishte qenë e para që nisi luftën për liri, hapi rrugën për ekspansionin e shteteve ballkanike në dëm të vetes. Aleatët ballkanikë u futën në Shqipëri si miq dhe çlirimtarë; por shqiptarët u shfaqën po aq zotë vendi dhe ndoqën rrugën më të sigurt për të ruajtur trashëgiminë e tyre. Shqipëria i ngjau Samsonit në Tempullin e Gazës. Ajo shndërroi perandorinë otomane në gërmadhë në kokën e saj. Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtritë okupatore austriake, franceze dhe italiane e përshkuan këtë vend në tërë hapsirën. Gjatë armëpushimit toka e tyre u ofrua si shpërblim për të ulur pasionet e fqinjëve të saj, por uniteti i këtij kombi nuk u prek dhe zhytja në ambicie, makutëri dhe hakmarrje të armiqve e bëri vitin 1919 një njollë në histori. Vlerat morale të përpjekjeve të këtij populli nuk mund të injoroheshin. Kështu më 1921 Shqipëria u mirëserdh në komunitetin botëror të Lidhjes së Kombeve.
Prej Malit të Zi në Shkup
Fati, por edhe vetë prirja ime, më çuan vazhdimisht në Shqipëri nga viti 1907 deri më 1918, kur Ministria e Luftës më dërgoi për një kohë të konsiderueshme në Vlorë. Unë pata rastin të vëzhgoj se në ç’forma të koklavitura fati i këtij vendi të vogël ishte ndërthurur në historinë e Evropës. Koha kur u krye vizita ime e parë në Shqipëri karakterizohej nga një shqetësim endemik që ishte në rritje dhe parandjeve, jo për shpërbërjen e mundshme të perandorisë otomane, por për ankthin që kishte mbërthyer pjesë të kësaj perandorie lidhur me të ardhmen e tyre. Shqiptarët zotëronin intuitën për të ndjerë atë që mund të ndodhte. Në Shqipëri binte në sy ekzistenca e dy opinioneve që binin ndesh. Shqiptarët ishin evropianë, por evropianë gjaku i pastër i të cilëve për shekuj me radhë ishte derdhur për zbrazjen dhe përmbajtjen e invazionit sllav. Shqipëria nominalisht konsiderohej pjesë e Turqisë. Ajo dukej si një djalë kokëshkretë që revoltohej para çdo sundimi, por suzereniteti otoman nuk kishte mundur të ndërhynte në jetën kombëtare, ndërsa përbënte një lloj mbrojtje ndaj sllavëve dhe grekëve. Gjatë këtyre viteve Shqipëria u mbështet e pasigurtë tek ungji i plakur por i pasur, Turqia dhe tek padroni i saj më i kohës, Austria.
Në vitet e fundit, Shqipëria, në saje të pozitës së saj kyçe, kishte një rëndësi që nuk i shkonte madhësisë së saj territoriale të kufizuar. Ajo përbënte jo vetëm një dalje në rajon, por edhe një fortese për të cilën kishin luftuar sllavët e jugut, nën patronazhin e Rusisë; ishte një vend me një pozicion që do t’i jepte Italisë siguri, por edhe një det të mbyllur, pa harruar që territoret e saj kishin përpirë mendjet e shtetarëve grekë.
Më kujtohet se udhëtimin tim të parë në Shqipëri, në se nuk gabohem, e bëra në 1907. Fillimisht shkova ne Shkodër. Shkodra i takon Lindjes, por i ndryshëm nga qytetet në Lindje. Shpirti i saj, pasi çdo qytet oriental e ka një shpirt, është më shumë i paarsyeshëm se sa fatalist. Turqit e kanë zakon që për të ruajtur nderin e grave ngrejë mure të larta, mirëpo në Shkodër lartësia dhe fortësia e mureve nuk dukej se kishte lidhje me moralin e grave. Burrat i fortifikojnë shtëpitë thjesht për t’u mbrojtur. Hakmarrja ishte ende e gjallë dhe ndikimi i saj dukej qartë në arkitekturën e shtëpive. Rrugicat nuk janë të ngushta e që të zenë frymën si në Kostandinopojë e Selanik, çdo rrugë dukej sikur përfundonte në qiell. Rrugët me mure të larta anash janë rilevuar me harqe madhështore, gdhendja e të cilëve ishte delikate, por asnjëherë të stolisura tej masës. Dyert kishin pamje antike, pa ato shënja plakje, që shpesh është karakteristike e ndërtesave turke, si tjegullat e çatisë. Oborret apo kopshtet e gjëra, përbënin hyrjen e zakonshme për në shkallët e gjëra që të çojnë në ballkonet e shtëpive. Rezervat për qytetin janë të natyrshme sapo kujtohet dendësia e rasteve të gjakmarrjes.
Pranë qytetit ishin varrezat e qeta, ku ndiheshin drithërimat e qiparisave që ngriheshin mes rreshtave të varreve, “vajtues të përhershëm të vdekjes”, që prishnin qetësinë dhe prehjen në paqe të atyre që flinin atje. Këto vende ishin veçanërisht të bukura në mbrëmje, kur minaret e holla dukeshin sikur mbanin tendën e natës, që zbriste ngadalë sikur po i përgjigjej të kënduarave të gjata të hoxhallarëve. Fundi i ditës ishte mjaft i këndshëm, ndërkohë që qyteti linte mënjanë tregtinë e lavditë e së shkuarës duke shijuar perëndimin e diellit. Qielli merrte një ngjyrë të verdhë mjalti dhe të fildishtë përmbi horizontin e maleve, ashtu të mbuluar me dëborë, dukeshin sikur ëndërronin, ndërsa liqeni reflektonte çdo ngjyrë në vlerën e vet të vërtetë, si një pasqyrë e përkryer duke zbuluar gjithçka rreth tij.
Bisedat e rëndomta në Evropë bëhen për dashurinë, ndërsa thashethemet janë për urrejtjen. Në Londër nuk është etike që menjëherë pasi je njohur të pyesësh “me kë ke shtënë dashuri?” Në Shkodër ato ditë do të ishte po kaq vulgare të pyesje “Kë urren? “Informacioni për këtë do të vinte edhe më parë. Urrejtja dhe dyshimi fshihen shumë më lehtë se sa dashuria. Afishimi i këtyre problemeve tek miqtë apo njohjet bëhej shumë shpejt.
Disa ditë pas mbërritjes në Shkodër pazari i Shkodrës u mbush me thashetheme për një revolucion në Mal të Zi; këto lajme i mora vesh në mëngjes herët. Mora kapelën, veglat e rrojës e revolverin dhe shkova në kohë tek varka që shkonte në Malin e Zi.
Në anije u bëmë mik me një shqiptar dhe, bashkë me të e dy bashkatdhetarë të tij (gjithashtu tregtarë), hupëm në karrocën që shkonte nga Reka në Podgoricë, ku thuhej se ishte edhe qendra e kryengritjes. Nata ishte e zezë sterrë; binte pa reshtur një shi i dendur. Kishim ftohtë e ndjenim uri, pasi nuk kishim ngrënë as mëngjes. Në një nga bujtinat që hasëm rrugës pamë se kishte proshutë, që unë nuk para e pëlqeva. Bashkudhëtarët, megjithatë, pasi e shtrënguan fort me gishta m’u shprehën se ishte e shkëlqyer dhe më dhanë të haja. Nëpërnatë u ngjitëm e zbritëm kodrave. Herë pas here rrufetë çanin errësirën e natës duke ndriçuar shkretinë e shkëmbinjve të zeze dhe grykat e thella. Dukej sikur tërë gurët e botës ishin mbledhur në një pirg të frikshëm. Shokët e mi dukeshin nervozë dhe tërë ankth. Filluam të zbrisnim nga lartësitë e, para nesh, vezullonin përmes shiut të dendur dritat e Podgoricës. Papritmas karroca u gjend e rrethuar nga burra me fenerë dhe pushkë. Njëherazi mendova se ishin banditë dhe me qenë se ishim të tërë të armatosur u propozova shqiptarëve të përgatiteshim të luftonim. M’u luten, për hir të zotit, që të mos bënim asnjë veprim. Në një moment dy apo tri gryka pushkësh u dukën brenda në karrocë në drejtimin tonë, duke na kërkuar shpjegime. Tregtari shqiptar e njihte komandantin e patrullës dhe u lejuam të hynim në qytet. Atje u ndava nga shqiptarët dhe shkova në një bujtinë, e cila ishte e mbyllur. Trokita me forcë në derë. M’u afrua një patrullë, të cilët më folën malaziasit, por që unë nuk mund t’u përgjigjesha. Dera më së fundi u hap, hyra brenda dhe kërkova ushqim në italisht. Fenerët u ngritën dhe m’u afruan tek fytyra, ndërsa rreth meje filloi një bisedë me zë të lartë që m’u duk disi e egër. Zemërimi m’u shtua dhe fola me një farë ashpërsie për mënyrën e sjelljes në Mali te Zi. Një malazez i gjatë, që dukej se gëzonte një farë autoriteti tek të tjerët, lëvizi përpara dhe tha se nuk besonte asnjë fjalë nga sa i kisha thënë: Për të isha një italian plot djallëzi, pasi pse të kisha ardhur në një natë të tillë? Për sa kërkonte, si përgjigjen më të përshtatshme për momentin, i thashë se isha anglez, ndërsa për psenë ia ktheva se në se nuk kisha qenë kurrë në Podgoricë, pse të mos vija këtë natë? Më në fund më vunë përpara një pjatë me djathë dhie dhe diçka për të pirë. Pastaj më shpunë në një dhomë, ku i shoqëruar me tre-katër njerëz të armatosur që ecnin tërë zhurmë, më mbyllën brenda. Të nesërmen në mëngjes bërtita, i rashë e godita fort derën e më së fundi më liroi një malazez i zymtë në fytyrë. Zbrita poshtë ku u gjenda i vetëm me të zotin e shtëpisë, që dukej një burrë i thjeshtë dhe diç fliste italisht e turqisht. Ai më tregoi se dy ditë më parë patriotët malazezë kishin hedhur në erë “Monopolin e Duhanit Italian” në Tivar. Rajoni dukej në trazirë; ngado dyshohej për reprezalje të agjentëve italianë. Natën e shkuar, disa orë para mbërritjes sime, një qytetar i nderuar, që thirrej bajraktari, ishte thirrur në një mbledhje me guvernatorin. Bajraktari një burrë mjaft shtatlartë dhe me shpirt të madh kishte nxjerrë pistoletën e kishte vrarë shefin e policisë, plagosur guvernatorin e lënë të vdekur në vend edhe një të tretë. Por ama edhe ai vetë ishte vrarë në vend. Thuhej se kishte qenë simpatizant i italianëve dhe fakti që kisha mbërritur menjëherë pas vrasjes e që flisja më mirë italisht se sa malaziasit, më kishte bërë të dyshimtë. Sa më parë të largohesha aq më mirë. Dola jashtë bujtinës dhe pashë trupin e bajraktarit, që mund të ishte mbi gjashtë këmbë i gjatë, i rrethuar nga disa burra të armatosur, të rëndë e fytyrëvrenjtur, që siç duket e shoqëronin për në varrim. Atë mëngjes u sorollata nëpër Podgoricë dhe të gjithë ata që s’kishin ndonjë punë tjetër të rëndësishme për të bërë, e harxhuan kohën me historinë e arrestimit tim dhe tentuan të më padisnin tek autoritetet. Pas një farë kohe u lodha me këtë lloj rutine e pjesën tjetër të mbetur të ditës e kalova në bujtinë deri sa u nis karroca. Pasi lamë Podgoricën diskutuam vetëm për politikë. Përshkuam, me ngjitje e zbritje, rrugët e thepisura dhe në çdo majë na dilte para pamja e frikshme e maleve të zhveshura, ndërsa karroca ndalonte automatikisht para çdo bujtine që hasnim gjatë saj për ndonjë raki. Si bajraktari i vdekur ashtu dhe guvernatori i sakatosur, kishin përkrahësit e tyre, kështu që bisedat u bënë gjithnjë e më të zjarrta, ndërsa ngjarja e kuajve edhe më e pakontrolluar pas çdo ndalese pushimi. Në Rekë arritëm në mbrëmje, ndërsa të nesërmen u ktheva ne Shkodër. Rizai tashmë kishte arritur dhe unë po digjesha nga padurimi për të përshkuar me këtë rast Shqipërinë e për t’u takuar me tim vëlla në Shkup.
Udhëtimi nëpër Shqipëri në atë kohë ishte i vështirë. Mënyra e zakonshme për t’ia dalë me sukses kësaj aventure ishte kërkimi i besës – që do të thoshte marrja e fjalës së nderit apo sigurimi i mbrojtjes nga një prijës shqiptar, i cili vetëngarkohej me përgjegjësi për ruajtjen e udhëtarit nga çdo e keqe gjatë levizjes nëpër territorin e tij, ku trupat turke e kishin të pamundur të penetronin. Në se udhëtarit i ndodhte fatkeqësi prijësi ishte i detyruar të kërkonte dënimin e përshtatshëm për autorin që kishte prekur të huajin. Ky kod nderi moral ishte shumë strikt. Krijohej një gjendje e përhershme hakmarrje, që shoqërohej me prita dhe luftime të çrregullta mes dy fshatrave, që hynte në fuqi në mbrëmje, me mbarimin e ditës së punës. Megjithatë edhe në rastet më të mprehta të armiqësive të lindura, gratë lejoheshin të lëviznin pa i prekur njeri.
Për fatin tim të keq kohët e fundit kishin ndodhur turbullira serioze lokale. Konfirmohej se qeveria turke, kishte ndërmarrë një operacion ndëshkimor dhe plaçkitje ndaj një triujës (më duket diku në Lumë), e cila në shenjë hakmarrje, katër ditë para nisjes sime, kishte grumbulluar rreth gjashtëqind vetë për të zënë qafat e maleve. Këta luftëtarë të ngritur rishtazi mbi bazë thirrjeje zakonore kishin zënë postat ushtarake turke, duke konsumuar një sasi furnizimesh, e pastaj me mjaft qetësi vënë në dijeni autoritetet, se në këtë mënyrë donin të zvogëlonin faturën e humbjeve shkaktuar shqiptarëve. Njerëzit në fjalë do të donin që t’i trajtonin mirë të huajt, por në se do të bije në duart e tyre, mund të konsideroheshe gjysmë mik, gjysmën si pronë, i mikpritës por ama edhe si peng ndaj qeverisë turke. Në të tilla rrethana ishte më se e qartë që nuk mund t’u kërkohej të të ndihmonin turqit, por as dhe të kishe kohë të shfrytëzoje besën e marrë nga prijëset vendas. Megjithatë, gjatë këtij rrugëtimi të veçantë, kjo në të vërtetë nuk shihej tërësisht si dizavantazh, sepse njerëzia kishin si miq edhe armiq dhe kishte fise që thuhej se kishin më shumë kënaqësi të vrisnin miqtë e armiqve të tyre se sa vetë armiqtë, për t’u lënë atyre një njollë turpi të pashlyeshme. Pasi pimë dhe një kafe të fundit në kopshtin jashtë hotelit bashkë me miqtë e mi një turk, një egjiptian, dy grekë dhe një shqiptar – të nesërmen në mëngjes u nisëm një orë para se të gdhinte.
Ishte një ditë marramendëse mes pranverës dhe verës dhe freskia e agimit ishte aq e këndshme sa që kompensonte me sukses edhe të nxehtit e mesditës. Arritëm në këmbët e një ure me gjithë katër kuajt e mij: një për vehte, një për plaçkat personale, të tretin për qiraxhiun që tërhiqte dhe të katërtin për sherbëtorin shqiptar. Këtu hasëm dhe pengesën e parë. Fatmirësisht në këtë orë të hershme tek ura gjetëm vetëm një roje që ishte një rekrut. Ai na kërkoi yol tesqerenë ( leje kalimin) me një turqishte të rëndë. Pasaporta ime, i thashë duke ia ndërruar drejtimin e pyetjes, është në çantën time tek plaçkat e ngarkuara. Nuk mundem ta nxjerr tani pasi nxitoj. Greku që ishte me mua ndërhyri menjëherë duke më mbështetur.
USHTARI: “Efendi, paç sytë e ballit, tregomë tesqerenë. Ky është rregull I nxjerrë nga qeveria mëshirëmadhe. Për allahun!”
GREKU: Është qeveria mëshirëmadhe që e kërkon. Tregoi tesqerenë. I nderuar efendi. Për allah!”
UNË: “Zoti e ndihmoftë qeverinë mëshirëmadhe! Ky ligj nuk është për mua, kështu që nuk kam pse të çpaketoj bagazhet”
GREKU: “Ky ligj nuk është për këtë njeri. Kaloni o Lord i nderuar”
USHTARI: ”O zotëri i nderuar, o zemra ime qëndro. Nuk mund të kaloni. Qeveria mëshirëmadhe…”
UNË: “ O qen, hëngësh kërmë, mos harro që ne jemi nisur si miq. Kjo do të më mbetet në mend për tërë jetën. Pije këtë kafe që e kishim për vehte”
GREKU dhe USHTARI bashkërisht: “Të faleminderit o bej. Vazhdo rrugën i qetë. I qeshur e i gëzuar shkofsh e ardhsh”
Kështu kapërceheshin pengesat në Turqinë e këtyre ditëve.
Lumin Drin e kaluam në një mënyrë konioze. Dy barka druri mjaft të ngushta e të gjata, të lidhura me njëra tjetrën, morën kuajt me plaçkat e mija dhe me një udhëtar që ishte bashkuar me ne për t’u mbrojtur e i nxorën matanë lumit. Pastaj vazhduam ecjen me të shpejtë drejt maleve. Ishte hera parë që po shikoja këtë vend, të bukur si një ëndërr, me hijeshinë e një dragoi. Në mesditë të nxehtit u rrit tepër. Kur u nisëm, nga nxitimi, por edhe nga pasiguria se ku shkonim, nuk kishim marrë ushqime, me përjashtim të pak buke. Rizai dhe unë ishim miq të vjetër, por atë ditë ai nuk i përshtatej gëzimit që ndjeja dhe as të më kënaqte me inkonsekuencat, siç kishte bërë dikur në një udhëtim të etshëm në shkretëtirë duke britur pa pushim “Bota i ngjan një pjepri, por ah! Udha e fatit. Zoti të dhëntë begati!”. Më qortoi që i dhashë cigare qiraxhiut: “Ky nuk është i asaj shkalle” më tha. “ Jini i sjellshëm, por mos i ofro cigare”. Pjesën më të madhe të udhëtimit e bëra më këmbë, që ishte një zakon i imi i hershëm, gjë të cilën e urrente dhe nuk kishte arritur ende ta pranonte pavarësisht se kishim marshuar për tre javë në Damask. Kur rruga filloi t’u ngjitej kodrave, vapa, megjithëse pemët filloi të ndihej më shumë. Po i ngjiteshim një monopati të pjerrët, përmes një pylli lisash të ndritshëm, që të tantalizonin me freskinë e tyre dhe ndriçimi i ulët, duke të kujtuar përshtypjen që të krijohet me rënien e diellit, i kundruar përmes Mesdheut të gjelbër. Diku, ku mali nga jugu ishte pothuaj një rrëpirë, mbi majat e pemëve diktuam një zjarr. Tymi që ngrihej para një shkëmbi të thepisur i jepte atij përshtypjen e një mirazhi. S’dukej asnjë shënjë jete me përjashtim të këngës të qyqeve me tonin karakteristik të majit. Në përfundim të zbritjes toka ishte e zhveshur. Pyjet ndërpriteshin menjëherë. Në këto vende të zbuluara pirgjet e gurëve që tregonin për varre çuditërisht ishin të shumtë. Mbase arsye për këtë ishte nga që ai që donte të vriste dikë nuk e vriste mendjen se mund ta pësonte vetë. Herëpashere shterpësia e tokës ndërrohej me shkurre të ulëta bredhash dhe dëllinjash. Shkëmbenj të bardhë të shndritshëm dukeshin në malet që ndeshnim përballë, që nga larg shfaqeshin si qytete. Rizai dukej mjaft i tërhequr dhe çdo pyetje që i bëja i referohej fatit, diçka e pakënaqshme gjatë një shoqërimi të tillë. Herë pas here në pyje shihej ndonjë lirishte, që rrethonte shtëpinë e fortifikuar të malësorit.
Më së fundi, me perëndimin e diellit, arritëm në një fshat të vogël të quajtur Qerret, i dyti që ndeshnim gjatë këtij udhëtimi. Përparimi u bë mjaft i ngadaltë. Burra të armatosur na dolën përpara dhe pushuan me ne. U përshëndetëm me të tjerë burra të armatosur, por asnjeri prej tyre nuk fliste turqisht. U shoqëruam prej tyre përmes livadheve me bar të dendur, që vaditshin nga kanale ujitëse të vegjël, deri sa arritëm tek një shtëpi njëkatëshe, ku kryezoti i një familje të madhe na ofroi mikpritjen. Rizai u fut në një bisedë të gjallë me mikpritësin tonë, i cili na informoi i zymtë se qafëkalimi para nesh mbahej nga rreth 300 vetë të fisit vendas. Kërkova ujë për të pirë. Nën efektin e bisedës, Bajrami, mikpritësi ynë, e kishte lënë pushkën tek dera dhe i pavëmendshëm lëvizte disa jardë larg saj. Papritmas e rrëmbeu dhe shkoi të nxirrte ujë nga një pus 50 jardë më tej. Mua më caktuan një shtrat, që dukej se ishte një fetish (idhull) për shtëpinë, që ndodhej në një dhomë të vogël, pjesërisht nën qiellin e hapur, në një cep të së cilës lëviznin shpendët shtëpiake, prej të cilës nuk mund të dilej pasi gratë e shtëpisë gjendeshin, le ta quajmë kështu, në paradhomën që më ndante nga hyrja kryesore.
Të nesërmen në mëngjes, pas shumë bekimesh, puthje duarsh e ftesash për rikthim, u largova.
Sikundër në Arabi edhe në Shqipëri, njerëzia kishte një lloj kundërshtie ndaj mos pjellorisë, sepse pjellshmëria shihej si garanci për sigurinë. Kur toka mbillej (punohej) njerëzit kishin një shtyllë mbështetëse dhe ndjeheshin të përgjegjshëm në veprimtaritë e tyre. ; toka e mbjellë ishte një peng për sjellje të mirë. Në perëndim të diellit na dhanë një kafe turke. Qiraxhiu ynë kristian, një malësor tërë humor, gjatë rrugës nëpër pyllnajë bënte shaka vazhdimisht, gjë që e inatoste mjaft Rizain. Kur e pyeta pse dukej kaq i ngrysur, m’u përgjigj me inat: ”Ai është përgjegjës për të katër kafshët, ndërsa unë përgjigjem direkt për ju”.
“Sido që të jetë ne e kemi besën e të zotit të kuajve” i thashë.
“Besa e tij” m’u përgjigj Rizai me një ton fyes, “nuk vlen asnjë grosh. Edhe këlyshi do t’i ngjajë qenit që ha m…”. Pas kësaj shprehje, atë e mbuloi heshtja.
Mëngjesin e ditës së mëparshme, kishim ecur përmes livadheve, ku gjerdhet ishin aksidentale e ku shtresa e tokës ishte si në Devonshire, derisa hapej ndonjë e çarë në gardh ku shfaqeshin ato male të bardhë që i kishin dhënë këtij vendi edhe emrin. Shqipëria kishte një avantazh të madh në krahasim me vendet e tjera; kudo kishte ujë. Tregoheshim të panginjur duke pirë atë ujë akull të ftohtë. Më kujtohet një ujëvarë e mbushur me rozmarinë, ku uji ishte aq i kthjellët e i qartë sikur të kishte dalë nga kristalet dhe jo nga shkëmbinjtë. Rizai me shumë mirësjellje nxori një shishe të shenjtë që e kishte blerë në Qerbela. Kujtesa e gjuhës së tij në këtë vend të shenjtë ishte si një mburojë mes kohës që kaluam atje dhe bekimeve që lëshonte tani. E lashë mëzin tim të vogël të lirë dhe ecja pas tij, duke kundruar katër këmbët e zgjuara që manovronin me saktësi me trokëllimën e tyre mbi gurët e rruginës së thepisur. Kur më së fundi vendosa të hypja në kalë dhe nxitova përpara për të zënë kafshën, më goditi me shkelm saktësisht e me një forcë të habitshme mes gjurit dhe kofshës. Kjo mund të ketë ndodhur mbase nga që i kishim dhënë pak haje (ushqim), apo mbase dhe nga lodhja, por në fakt nga kjo u përpoqa të nxjerr mësim. Rizai tha “Ku të qëlloi kjo kafshë, që e qëlloftë zoti” dhe në moment filloi ta fërkonte me vrull. “Ngreu” më urdhëroi, “ec e nëse këmba nuk është thyer, gjithçka do të kalojë mirë”. Dhe vërtet kështu ndodhi.
Duke vazhduar marshimin tonë pashë rrypa pyjesh por edhe male të ashpër e të zhveshur. Rizait i thashë “Këtu, sido që të jetë, ju nuk duhet të ndjeheni përgjegjës për mua. Paanshmëria këtu është me milje. Tregohu më me humor dhe fol diçka që do ta bënte udhëtimin më të këndshëm. Sikur këtu të na dalin para njerëz qëllimkeq, a thua nuk do të mund t’i diktonim?”
“Si do të mund t’i shihnim”, ma ktheu ai, “ mos kemi dylbi me vehte siç mund të kenë ata?”.
Në Ballkan prezenca e të huajve ishte tashmë e zakonshme. Këta udhëtarë që vinin për të kaluar fundjavën në këto vende nuk do të mund të bënin drejtësinë: ata ose vinin për gjueti ose bëheshin objekt i saj, kështu që jeta e tyre përgjithësisht ishte në rrezik. Udhëtarë të tillë harronin se rreziku ndaj tyre ishte rritur e qëndrimi konstant nuk shkonte më.
Vazhdonim me ritëm të ngadaltë me kuajt tanë të lodhur përmes një pejzash të ri që për mua ishte po aq madhështor se çdo i tillë që kisha parë në Evropë.
Vendi si terren fizik ishte një aventurë më vehte. Ngado, prej grykave të maleve, ujerat vërsuleshin furishëm drejt luginave dhe ajri ishte aq i kthjellët sa edhe horizontet më të largëta dalloheshin qartë si të thelluarat e stampuara të monedhave. Kështu ne nuk kalëronim në lartësitë marramendëse, ku udha ishte e rrezikshme; ndodhte që për 50 jardë gjatësi udha të ishte një këmbë apo 18 inç e gjerë dhe shpesh pas ndonjë qosheje të përballeshe vetëm për disa inç me mungesë shikimi.
Edhe zbritja ishte e pamundur dhe mund të shihje se si rrokulliseshin gurët nga udha drejt greminave 60 apo 100 këmbë të thella. Gjithçka e kisha lënë në dorë të kalit. Diku gjatë rrugës ai u pickua nga një mizë dhe u hodh i tëri përpjetë sa që mua më shkuan të dridhura, por megjithatë nuk i tërhoqa kapistallin. Ishte vërtet një kënaqësi mjaft e frikshme të shikoje përpara dhe të vëreje kreshtën ku duhej pothuaj kacavjerrë dhe gjurma në faqen e malit do të kishte aq vlerë sa dhe hija e një litari. Për kuajt dukej e pamundur të mbanin ritmin e ecjes dhe ndiqnin bazamentin, qe I ngjante një të thelluare mbi humnerë. Më pas takuam të tjerë njerëz. Rizai nuk e duronte që unë të isha qoftë dhe pak metra para. Diku, pasi kaluam një shpellë, në mal, drejt një lugine që uturinte nga zhurma e përrenjve, qiraxhiu dhe unë u sulmuam nga një qen i madh stani dhe mezi arritëm të mbroheshim prej tij. Rreth gjysmën duzine shqiptarësh të egër, bashkë me shefat e tyre, ishin ulur disa jardë më tej me pushkët të vendosura në gjunjë dhe na shihnin pa e prishur terezinë. Në një rast tjetër, papritmas në një kthesë u ndesha me një shqiptar që nuk arriti të shkrepte pushkën, pasi arrita i pari të nxirrja pistoletën. Thirri “Tungjatjeta” e unë ia ktheva “Selam” e kështu u kryqëzuam me përshëndetje. Vazhdimisht përshkonim përrenj të kthjellët në vahe me gurë në mes të tyre. Atë natë e kaluam në një fshat të quajtur Sakati. Në Sakat ishte një han i pistë ku njerëzit dhe kuajt flinin apo ruanin bashkë. Mua më dhanë një dhomë me një dysheme balte dhe me një të ashtuquajtur krevat-tavolinë, ku duhej të flija; në të kishte edhe një pajisje tjetër: një varëse çadre. Me vete kisha një libër të Adam Bedesë që e përdora në vend të jastëkut. Ndërkohë që prisnim të hanim për herë të parë gjatë ditës ndonjë ushqim, shkova dhe u ula në një varrezë shumë të bukur të prishur e të shkallmuar. Perëndimi i diellit ishte vërtet i mrekullueshëm; rrezet e arta të dritës vinin e shkonin nga një zabel në tjetrin. Era fëshfërinte mes drurëve të bajameve dhe të blertës së errët të pyllit të lisit, ndërsa dëgjohej gurgullima e rrjedhjes së përrenjve. Nata në këtë kolibe ishte e padurueshme. Dikush tentoi të futej brenda ndërsa mijtë për asnjë çast nuk e reshten ahengun. Në agim u nisëm me një farë ritmi të lartë ecje. Shoqëruesit e mi e ndjenin vehten disi nervozë në këtë orë të ditës, duke menduar që ardhja jonë e një nate më parë nuk do t’i kishte shpëtuar vrojtimit.
Tashmë lamë pas gështenjat, lajthitë, panjat dhe bajamet që lulëzonin dhe tani po udhëtonim mes aheve e lisave. Në oren 6, që sipas orës turke ishte mesditë, u gjendëm përsëri në bregun e Drinit, që tashmë ishte i turbullt dhe i fryrë. Udha nga kalonim ishte e brishtë dhe dukej sikur edhe era mund ta lëvizte. Isha në krye të karvanit tonë të vogël, kur pashë se rruga më çoi në breg të lumit. Ecja bregut të tij si aga, duke e ditur që në çdo moment kali dhe ne mund të shkisnim në lumë. Pas kësaj u detyruam të kthehemi prapa dhe unë u përpoqa t’i shtoja diçka mençurisë së udhëtarëve duke u thënë “në se shihni dy palë gjurmë, ndiqni atë të sipërmen”. Askush, veçse po të kishte qenë i detyruar, s’do të ndiqte rrugën më të vështirë, që mbase ekziston, vetëm se ajo e poshtmja do ishte shkatërruar. Kthimi ishte vërtet i vështirë. Udhëtuam përmes një pylli të errët deri sa dolëm në dritë pranë njërës nga tre urat që na prisnin, e cila ishte mjaft e mire, po të kemi parasysh vendin ku ishim. Është e vërtetë që ato ishin të pakalueshme për karrocat, por kur në anën tjetër nuk kishte rrugë për to, pak rëndësi kishte kjo gjë. Ura e parë më thanë se ishte ndërtuar prej vezirit të Shkodrës para 100 vjetësh. Secila kishte nga dy harqe me vrima si dritare gotike për të lehtësuar peshën e ujerave. Në urën e parë takuam dy kalorës dhe tetë këmbësore, që dukej se ishte e vetmja shenjë e pushtimit turk gjatë tërë marshimit tonë.
Turqit ndoqën zakonin e tyre të përhershëm; përshëndetjet e tyre ishin mjaft miqësore. Nuk isha i sigurtë në se ata kishin ardhur për të pritur ndonjë mik apo për të kapur ndonjë të arrestuar: u thirra të ndalonim. U ulëm, ndezëm nga një cigare dhe pimë ujë së bashku dhe kështu mësova se ç’kish ndodhur. Turqit na thanë se u ishte dërguar një telegram nga Shkodra për ardhjen e një anglezi për të cilin qeveria e tyre dashamirëse ishte mjaft e interesuar. Ai duhej pritur në pikën e parë më të mundshme dhe të shoqërohet e ruhet me asqerë (ushtarë). Biseduam bashkërisht të shtrirë nën një tendë me gjethe. Rreshteri i suvarinjve (kalorësve) më mbyti me urime e përshëndetje.
AI: E deshi vet Zoti (pra është fjala për ardhjen time të sigurtë). Oh, çfarë mrekullie. Perëndia është e madhe”
UNË: “Zoti është zemërgjerë. Zoti e deshi vetë këtë. I faleminderit zotit”
AI: “I fundit që ka kaluar këtej nuk ishte si zotëria juaj. Ai erdhi në kohë të qetë paqeje dhe jo në turbullira, me një eskortë të fuqishme mbrojtje ku isha dhe vetë, por – Oh! Për fat të keq, që zoti i mallkoftë, njerëz të egër, pa ndonjë arsye, qëlluan mbi të thjeshtë për të krijuar problem, kështu që kapela e tij u shpua nga një plumb. Ai ishte një lord i Hungarisë.”
UNË: “Medet për Lordin e Hungarisë”
Në mal dielli digjte shumë, kështu që zhapikët gri dhe jeshile zvarriteshin me shpejtësi në pluhurin para thundrave të kuajve për t’u strehuar nën trumza. Pas një të përpjete tjetër arritëm tek ura e tretë dhe e fundit, nën malin Lumë, pamja e të cilit ishte aq kërcënuese sa dhe vetë fama e tij si ogurzi. Në të bora ishte shndërruar në masa akulli të mbërthyera në faqet e tij.
(Më vonë mësova se brenda një ore e gjysmën nga nisja jonë ura kishte qenë në duart e shqiptarëve).
Më bënë përshtypje disa tipare të jetës së kafshëve: breshkat, të cilat na dilnin vazhdimisht përpara e që unë kujdesesha për t’i larguar prej andej; si dhe një qen shqiptar tek ura. I zoti më shpjegoi se ishte katër muajsh, por ama nuk linte asnjë që t’i prekte mallin e tij.
Rruga përmes pyllit ishte sikundër e quajnë turqit shoes, që si të thuash ishte e pamundur të kalohej, por që për të ata flasin heshturi dhe me një mënyrë të respektueshme. Lëvizja jonë bëhej e shpejtë gjatë saj, përmes mugëtirës së krijuar nga pemët që hapej shpesh duke kaluar nëpër lëndina që pasonin njëra tjetrën, ndërsa lumi vazhdonte këngën e tij dhe vezullonte përmes hijeve të pyllit. Më së fundi u gjendëm në një faqe kodre të mbuluar me shqope ku gjetëm një bari duke fjetur mes hicinthave të egër nën hijen e një ileksi me pushkën nënë kokë si jastëk, ndërkohë që shoku i tij i binte fyellit të Panit. Në distancë, pothuaj gjysmën ore larg, mund të shihnim Drinin e Bardhë, pikërisht atje ku takohej me Drinin e Zi. Me keqardhje u përshëndeta me ta udhëve mes pyjeve dhe kështu u futëm në pllajën e Prizrenit. Suvarinjtë tanë ishin njerëz të mirë dhe ne kryesonim kolonën para kuajve me plaçka. Fshatarët që hasëm ishin kryesisht kristianë dhe nga sa mund të shihnim të paarmatosur, por suvarinjtë na shpjegonin se i mbanin armët fshehurës. Suvarinjtë më pyetën për aparatin tim fotografik dhe folën me nderim të madh për madhërinë e tij , Sulltanin, hija e Zotit mbi tokë, që ishte bërë shkak që t’u paguheshin rrogat. Kalëruam trokthi mbi një tokë të kuqe pjellore e të butë derisa anash u duk qyteti, po aq i bardhë me minaretë e xhamitë sa vete bora që mbulonte kreshtat e maleve nga pas tij. Ura mbi Drin dukej e fortë dhe dyshemeja e saj e drunjtë, pavarësisht nga vrimat, që kësaj radhe ishin mbyllur e dukeshin të riparuara mirë, ishte e mbuluar. Rrjedha e qetë e ujit i bënte shoqëri të këndshme gugatjes së pëllumbave. Varrezat si brenda dhe jashtë qytetit ishin nën hijen e grupeve të plepave. Kisha dëgjuar shpesh që ushtarët shqiptarë të lëvdonin Prizrenin, të përmalluar për freskinë e tij nën vapën e padurueshme të netëve në shkretëtirë. Kur e pashë vetë me sy u dhashë të drejtë ndjenjave të tyre. Si të gjithë malësorët ata digjeshin nga malli për malet dhe shumë nga turbullirat që u shkaktonin autoriteteve ishte rrjedhojë e mallit që i digjte për atdheun. Turqit ndjeheshin të kënaqur kur takonin ndonjë që kish vizituar Anatolinë e tyre të largët, por dashuria e tyre për të ishte kryesisht ndjenjë e rastësishme e një race endacake dhe jo malli pasiononte e poetik karakteristik i shqiptarëve. Në shkretëtirë shqiptari dëgjon zhurmën e fluturimit të pëllumbave dhe shushurimën e ujërave që rrjedhin; ai sheh vezullimin e xhamive në muzg dhe ndjen ajrin e ngrohtë të Prizerenit apo Kalkandilen në mbrëmje.
Në Prizren mora një mesazh politese nga Kaimekami (governatori lokal) dhe gjeta një bujtinë të shkëlqyer me një hanxhi (pronar) serb, të cilin ua rekomandoj të gjithë udhëtarëve. Pas disa orësh këtu më ofruan një vakt me oriz dhe supë.
Gjatë tre ditëve të fundit ne hanim vetëm një vakt në ditë edhe ky me oriz. Buka që kishim me vehte ishte tharë dhe forcuar nga të nxehtit, sa që po të mos ta squllnim në ujë nuk mund ta hanim; kështu, nga lodhja, as unë e as Rizai nuk mund të hanim me të arritur. Kur kishim mbaruar së ngrëni, konsulli italian, me mikpritjen që karakterizon racën e tij, më ftoi të qëndroja me të. Megjithëse i kërkova të falur për pamundësinë, përsëri shkova në shtëpinë e tij për darkë, ku desh më zuri gjumi duke folur. Konsulli kishte mirëpritur edhe “Lordin hungarez” fatkeq, i cili kishte ndjekur një rrugë më të rehatshme dhe ishte shoqëruar nga një eskortë e madhe nga Shkodra, por që sipas italianit ishte somnambul. Konsulli më shoqëroi me rojen e tij deri në hotel. Pasi u shtriva filluan të shtënat e pushkëve në rrugë, por lodhja e mundi kuriozitetin, e kështu shtrati më mbajti fort e nuk më la të ngrihesha.
Pjesa e fundit e këtij udhëtimi ishte luksoze. Rizai kishte arritur të gjente një karrocë.
Ulu pranë meje”, i thashë, ”që të mund të bisedojmë”.
“Jo kështu, shpirti im. Mos duhet që për shkakun tim ju të turpëroheni?”, m’u përgjigj dhe zuri një vend të ngushtë përballë, ku dukej si një rrufjan i bukur nga mezi e lart, por që i mungonte ai dinjiteti që duhet t’i jepnin poturet turke të dhuruara prej meje, çorapet dhe qillotat, që e mbulonin nga nyja e këmbës deri në brez.
Koha me të vërtetë ishte e bukur për udhëtim, kështu që edhe ecja jonë nëpër qytet dukej mbretërore. Në treg, ku shtretët e hardhive bënin hije edhe në dyqanet e kasapëve, shumica e njerëzve ngriheshin dhe përshëndesnin, ndërsa disa të tjerë edhe na bekonin. Nuk po i kuptoja çfarë i shtynte për këtë, por që, si për të mbajtur havazin, iu përgjigjesha përzemërsisht. Kur dolëm në rrethinat qytetit dhe pejzash u shfaq para nesh, Rizai më në fund u bind të vinte pranë meje dhe humori i erdhi në vend.
“Kemi kaluar male dhe kështjella, ku kushdo që të pa, Efendi, thoshte “Allah, Allah. Këtu gjen shlodhje dhe mos e çaj kokën”. Pinte cigare dhe këndonte.