Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij rreth futbollistëve nga Kosova që po i bashkohen Kombëtares shqiptare.
Kreu i futbollit shqiptar foli specifikisht për rastin e Etnik Brrutit, duke u pajtuar me reagimin e babait të futbollistit, ndërsa shtoi se dyert e Kombëtares do të mbesin të hapura për krejt futbollistët shqiptarë, nga të gjitha trevat.
Duka i dha këto deklarata derisa ishte i ftuar në “Nazarko Podcast”, një format i ri që sapo ka nisur, nën moderimin e Mentor Nazarkos dhe Oneda Skënderit.
“E pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, theksoi fillimisht kreu i FSHF-së.
“Etnik Brruti? Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”, përfundoi Duka.