Ukraina duhet t’i japë tokë Rusisë si pjesë e çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ka sugjeruar Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Unë mendoj se të dyja palët duhet të kuptojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë situatë”, u tha Rubio gazetarëve ndërsa fluturoi për në Arabinë Saudite për bisedime të vështira me zyrtarët ukrainas të martën.
“Rusët nuk mund të pushtojnë të gjithë Ukrainën, dhe padyshim që do të jetë shumë e vështirë për Ukrainën në çdo periudhë të arsyeshme kohore që të detyrojë rusët të kthehen deri në vendin ku ishin në 2014-n”, shtoi Rubio.
Ai më herët tha se ndalimi amerikan për dërgimin e armëve dhe inteligjencës në Ukrainë mund të hiqet nesër, nëse takimi saudit shkon mirë.
Kryediplomati i Uashingtonit tha se Shtëpia e Bardhë fillimisht duhej të kuptonte se çfarë lëshimesh do të ishte i gatshëm të bënte Kievi përpara se të rifillonte ndihmën ushtarake, duke shtuar se Ukraina duhet të jetë “e përgatitur për të bërë gjëra të vështira, siç do të bëjnë rusët”.
“Unë mendoj se nocioni i pauzës së ndihmës, në përgjithësi, është diçka që shpresoj se mund ta zgjidhim. Natyrisht ajo që do të ndodhë nesër do të jetë çelësi për këtë”, u tha ai gazetarëve.