Tuesday, April 1, 2025
spot_img

Kur flet broçkulla Memli Krasniqi…?!

Shkruan: Pro. dr. Binak Maxharraj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është betuar në emrin e Hashim Thaçit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në atë të Isa Mustafës, se nuk do të bisedojnë për qeverinë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), pavarësisht se kjo e fundit doli fituese e zgjedhjeve. Sipas tyre, “nuk është interes i Kosovës që Albin Kurti të jetë kryeministër”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mbrëmë pati hapësirë në RTV21 për të shprehur mendimet e tij politike. Megjithatë, pamja e tij e kuruar dhe e pesëpillosur ishte në kontrast me fjalët që artikulonte. Ai nuk dha asnjë sqarim konkret për humbjen e partisë së tij në zgjedhje dhe as për ndonjë mundësi të qartë rreth formimit të qeverisë së re. Përveç përsëritjes së frazës se “nuk është interes i Kosovës që Albin Kurti të jetë kryeministër”, nuk ofroi asnjë argument të vlefshëm.

Më 9 shkurt u mbajtën për herë të parë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Ato ishin të lira dhe demokratike, të krahasueshme me ato të vendeve të avancuara. Si gjithmonë, Kosova u lavdërua nga vëzhguesit ndërkombëtarë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pavarësisht ndonjë fërkimi të zakonshëm mes partive gjatë fushatës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), qytetarët votuan me dinjitet dhe shprehën qartë vullnetin e tyre:

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 345,760 vota (40.9%) – pa përfshirë votat e diasporës,
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 186,305 vota (22.04%),
  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 149,095 vota (17.64%),
  • Koalicioni AAK-NISMA: 63,035 vota (7.46%).

AAK dhe NISMA, të cilat u shquan për retorikën e tyre të ashpër kundër LVV-së, arritën një rezultat modest, ndërsa pa këtë koalicion, AAK do ta kishte të pasigurt mbijetesën në skenën politike.

Këto rezultate janë shprehje e vullnetit të popullit dhe nuk mund të kontestohen, por vetëm të respektohen për të formuar qeverinë e re. Megjithatë, në vend që të diskutohet për formimin e qeverisë Kurti 3 ose të një qeverie opozitare nëse do të mund të bashkonin numrat, partitë opozitare po e shmangin këtë debat dhe po qëndrojnë në një rreth vicioz. PDK, LDK dhe AAK, të cilat kanë një alergji të theksuar ndaj Albin Kurtit, duket se po presin ndonjë dështim të tij në formimin e qeverisë.

Kjo sjellje e opozitës nuk është e re. Që nga viti 2021, kur Kurti dhe Vjosa Osmani i fituan bindshëm zgjedhjet dhe formuan qeverinë Kurti 2, opozita me liderët e saj – Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj – kanë bërë gjithçka për të minuar qeverinë dhe LVV-në. Kjo qasje më shumë i ka dëmtuar ata sesa Albin Kurtin, i cili edhe kësaj radhe doli fitues.

Pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2025, opozita vazhdon të mos japë ndonjë kontribut në formimin e qeverisë së re. Në vend që të jenë në shërbim të shtetit dhe votuesve të tyre, ata po e neglizhojnë këtë proces dhe po presin që Kurti të dështojë. Kjo qasje mund t’u kthehet në bumerang, sepse nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, ekziston mundësia që LVV të fitojë me mbi 50% të votave, duke e lënë opozitën edhe më të dobët.

Deklarata e fundit e Memli Krasniqit në RTV21, se “nuk është interes i Kosovës që Albin Kurti të jetë kryeministër”, vetëm sa dëshmon se ai nuk ka asnjë ide konkrete për të kontribuar në formimin e qeverisë. Për më tepër, ai la të kuptohet se do të ishte më mirë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Ky është një qëndrim i papjekur dhe i dëmshëm, i cili nuk i shërben askujt përveç interesave të ngushta politike të opozitës.

Opozita duhet të kalojë mbi inatet e veta, të reflektojë dhe të punojë për të mirën e shtetit, e jo për interesat meskine të liderëve të saj të kaluar, të cilët e sollën Kosovën në këtë gjendje. Ndryshe, ata rrezikojnë të mbeten të parëndësishëm në skenën politike dhe të humbasin edhe më shumë besimin e qytetarëve.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit