spot_img
Friday, March 14, 2025
spot_img

Lista Serbe e akuzon se e ka fituar mandatin e deputetit me votat e shqiptarëve, Rashiq e mohon

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, ka deklaruar se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës “falë” votave të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, Rashiq e ka mohuar, duke thënë se në dy vjetët e fundit ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe se me punën e tij ka fituar besimin e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Kosovë, e jo vetëm të komunitetit serb.

Rashiq është ministër në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili e emëroi atë në këtë pozitë pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Lista Serbe pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, deklaroi se kishte fituar të gjitha dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb, por më 7 mars, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se “kanë harruar faktin se Rashiq është i preferuari i Prishtinës dhe regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, prandaj do të marrë vota edhe aty ku nuk ka serbë”.

“Shembulli më drastik i këtij inxhinieringu politik është komuna e Prizrenit. Lista Serbe ka marrë 30 vota në të gjithë komunën e Prizrenit, ndërsa ai [Rashiq] ka marrë 157 vota. Kjo është e vetmja komunë ku Nenad Rashiq ka arritur të mposhtë popullin serb në mënyrë kaq drastike me votat e shqiptarëve”, tha Simiq në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Rashiq i është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se gjatë dy vjetëve të fundit si ministër ka ndihmuar 1.700 familje, nga të cilat të paktën gjysma ishin pjesëtarë të komuniteteve tjera joserbe.

“Për ta bërë të qartë, komunitetet jetojnë kudo, duke filluar nga serbët, goranët, turqit, boshnjakët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe romët. Mënyra se si kemi punuar, mendoj se ka qenë e drejtë të merrnim edhe më shumë vota. Votat tona janë reale dhe jo si të tyre, të importuara nga njerëz që nuk kanë jetuar në Kosovë për 25 vjet”, tha Rashiq për REL, duke aluduar në votat e serbëve të zhvendosur nga Kosova, të cilët erdhën për të votuar me organizimin e Komisariatit për Refugjatë të Serbisë Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit