Anëtarja më e re e NATO-s, Suedia, po planifikon të kontribuojë me deri në tetë aeroplanë luftarakë Jas Gripen në bazën e NATO-s në Poloni, ka bërë të ditur kryediplomatja suedeze, Maria Malmer Stenergard.
Stenergard tha një ditë përpara një-vjetorit të pranimit të Suedisë se qeveria e saj propozon të marrë pjesë në patrullimin ajror të NATO-s dhe mbrojtjen e operacioneve logjistike për mbështetjen e Ukrainës në Poloni, shkruan Reuters.
“Ne propozojmë që Suedia të kontribuojë me një maksimum prej tetë JAS Gripen (aeroplan luftarakë) me personel të lidhur, që përfshijnë komandën luftarake dhe njësitë mbështetëse”, tha ajo në një konferencë për shtyp.
“Përveç kësaj, qeveria propozon që Suedia të kontribuojë në aftësitë e mbikëqyrjes ajrore dhe detare dhe aftësitë e transportit ajror”, shtoi kryedipolmatja suedeze.
Kjo do të shënohej si hera e parë që Suedia kontribuon me aeroplanë luftarakë në operacionet e NATO-s të stacionuar në një vend tjetër përveç në vendin e tyre.