Në një skenar të tronditshëm që dëshmon për manipulimin e hapur të njerëzve për interesa politike, qeveria serbe po përgatitet të sjellë 750 serbë nga Kosova në Beograd për t’i përdorur si mjet propagandistik dhe për të justifikuar represionin ndaj protestave studentore.
Këta njerëz, shumica prej tyre qytetarë të thjeshtë që luftojnë për jetesë, po rekrutohen për të krijuar një “mur njerëzor” rreth Presidencës serbe, ndërkohë që regjimi i Vuçiqit kërkon të përdorë praninë e tyre për të provokuar incidente dhe për të justifikuar përdorimin e dhunës nga policia.
Sipas ish-kryetarit të Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, këta qytetarë nuk janë pjesë e ndonjë lëvizjeje politike apo proteste të organizuar – ata po manipulohen dhe po paguhen nga 20 deri në 50 euro në ditë për të shërbyer si vegla në një skenar të fabrikuar nga qeveria serbe.
Shumë prej tyre mund të mos e kuptojnë plotësisht se po përdoren për të shtypur protestat studentore që po kërkojnë një Serbi më të drejtë dhe më demokratike.
“Vetëm nga Graçanica do të sjellin 100 persona”, thotë Stojanoviq, duke shtuar se këto grupe do të ndahen në pesë turne me nga pesë ditë secili, duke qëndruar në Beograd për të paktën 25 ditë. Për këtë është organizuar edhe logjistika, përfshirë tendat dhe nevojat e tjera për akomodimin e tyre.