Një ngjarje tragjike që përfundoi me vrasje ka tronditur Vranjevcin mbrëmë. Për motive akoma të panjohura, një grua ka ekzekutuar vëllain e bashkëshortit – kunatin e saj.
Pas disa orësh, mbrëmë vonë, trupi i pajetë i burrit që u vra në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, u largua nga vendi i ngjarjes – për t’u bartur në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Gazeta ka zbuluar mbrëmë ekskluzivisht se i vrarë ka mbetur Xhevdet Millaku, rreth 60 vjeçar, i cili punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta gruaja e dyshuar për vrasjen është Nazmije Millaku, rreth 55 vjeçe.
Për rastin është deklaruar Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila ka zbuluar se nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Me urdhër te Prokurorisë, e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar ne mbajtje, për shkak te veprës penale “Vrasja e rende”, sipas KPRK-se, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes se veprës penale.
E dyshuara dhe kunati që e privoi nga jeta jetonin në të njëjtën shtëpi, por që i kishin hyrjet e ndara.
Ajo është vetdorëzuar në Polici, ka njoftuar policia e Prishtinës, e cila ka treguar se ngjarja ka ndodh rreth orës 19:20, të natës që shkoi.
“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara: -N.M. femër”, njofton Policia.