Letër e hapur drejtuar taksapaguesve gjermanë nëpërmjet përfaqësueses më të madhe të mediave të shkruara në Evropë, njëra nga rojet e portës së ferrit në demokraci, përfaqësuese e mendjeve të hapura dhe mbrojtëse e së drejtës demokratike.
Unë që po ju shkruaj jam një banor i hinterlandit të lumit Shushicë, në Shqipërinë Jugore. Ju do të thoni: “Ç’ne ne? Pse pikërisht na drejtohet neve?” Dhe keni të drejtë. Përpara se t’ju tregoj problemin tim dhe të gjithë banorëve të zonës, dua t’ju shpjegoj afeksionin që kemi për ju.
Gjuha që ne flasim është një gjuhë indo-evropiane, por ishte e panjohur për shumë kohë. Pikërisht dijetarët dhe shkencëtarët gjermanë u morën me të dhe e bënë të njohur. Arnold Van Harffi ishte i pari që u mor me gjuhën shqipe, e më vonë Gottfried Wilhelm Leibniz, Gustav Meyer, Maximilian Lambertz, Johann von Hahn e shumë të tjerë e ndërkombëtarizuan shqipen time. Kështu, ne u bëmë gjermanofilë, falë edhe kontributit të Perandorisë Austro-Hungareze në luftën për pavarësi.

Por sot, ju me taksat tuaja (pa dijeninë tuaj) kontribuoni që zakonet, traditat, doket dhe historinë tonë ta harrojmë. KFV po lëvron fondet për devijimin e lumit Shushicë nga shtrati i tij natyror për të furnizuar me ujë një tjetër krahinë të lavdishme, si Himara. Në fakt, ekonomia jonë është mbështetur te turizmi, dhe furnizimi me ujë të pijshëm është një detyrim ligjor i shtetit. Në rastet kur nuk ka rrugë alternative, ndërhyhet në vendndodhjen e lumit. Kur alternativa ekziston, nuk mund të shkatërrojmë një zonë të tërë. Devijimi i lumit nga shtrati natyror ka pasoja të rënda në demografinë e kësaj zone (i detyron banorët të largohen), në bujqësi duke lënë qindra hektarë tokë pa ujitje, në blegtori sepse nuk furnizohet me ujë, e mbi të gjitha shkakton dëme të pakthyeshme në ekosistem, si erozion, dëmtim të florës dhe faunës.
Devijimi i lumit është gjithashtu në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian mbi zonat e mbrojtura. Lumi Shushicë është një nga degët kryesore të lumit të fundit të egër që Evropa ka sot, Vjosës.
Ju drejtohem ju, taksapaguesve gjermanë, pasi popujt gjermanikë nuk kanë qenë asnjëherë kolonizatorë. Ju, që keni nxjerrë burra të mëdhenj shteti, si mund të heshtni për taksat tuaja? Si do të ishte Evropa pa Karlin e Madh, teknologjia pa integralet e Leibnizit, shkenca pa teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit, filozofia pa Hegelin, muzika pa Beethovenin, letërsia pa Gëten, psikoanaliza pa Frojdin?

Ndaj, unë dhe ne ju lutemi që të ngrini zërin pranë qeverisë suaj, që të mos jeni faktor dhe protagonistë të shkatërrimit të kësaj perle që nëna natyrë na ka falur. Dëshira e mirë për të ndihmuar një komunitet, pa u informuar mirë mbi efektet anësore, nuk ju përjashton nga faji, por ju bën pjesë të tij.
Ndërtimi i një vepre publike pa dëgjesë publike me grupet e interesit të prekura nga devijimi, në mënyrë të fshehtë, fsheh qëllime të tjera tinzare. Ne po protestojmë, dhe një pjesë e protestave tona pasqyrohen në mënyrë të shkëlqyer nga DW, por siç dihet, në vende si vendi im i dashur, ku zëri ynë nuk dëgjohet, ju lutemi juve, miqve dhe përkrahësve tanë, të solidarizoheni me ne.
Ju e keni provuar se më shumë se ndihmat financiare, duhet një shkëndijë për t’ia rikthyer dinjitetin një kombi. Mjaftoi fitorja e një Kupe Bote në 1954 që të ringrinte shpirtin dhe karakterin tuaj. Nuk ishin fondet e Planit Marshall, por një shkëndijë e brendshme e një kombi të plagosur që e riktheu atë aty ku e meritonte. Ndaj, edhe ne, më shumë se çdo gjë, duam një shkëndijë që të na ngrejë egon kombëtare për të qenë në krah të të gjitha vendeve të Evropës.
Mos u kurseni, na përkrahni!
Miqësisht,
Leonard MALAJ