Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me arrestimin e fundit të një spiuneje serbe në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një goditje të fortë ndaj përpjekjeve për infiltrime që cenojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit, shkruan GazetaKosova.net
Në një deklaratë në Facebook, profesori Islami theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe efikasitetit të institucioneve të sigurisë në monitorimin dhe analizimin e veprimtarive që mund të rrezikojnë rendin kushtetues të Kosovës.
Ai vlerësoi se ky arrestim nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një angazhimi sistematik për të mbrojtur institucionet nga çdo tentativë për depërtim të paligjshëm, qoftë nga brenda apo jashtë vendit.
Profesori Islami e konsideroi këtë zhvillim si një sinjal të qartë për individët apo rrjetet që synojnë të veprojnë në dëm të interesave të Kosovës.
Sipas tij, reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve dëshmon se sistemi mbrojtës funksionon dhe është i aftë të ndërhyjë në kohë për të parandaluar rreziqe më të mëdha.
Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të mbrojtur vendin nga kërcënimet e mundshme.
Postimi i plotë:
Arrestimi i spiunes serbe: Goditje e fortë ndaj tentativave për infiltrim!
Rasti në fjalë konfirmon gatishmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të sigurisë, të cilat në mënyrë të pandërprerë monitorojnë dhe analizojnë veprimtaritë që mund të cënojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit. Arrestimi nuk është thjeshtë një veprim i izoluar, por pjesë e një angazhimi sistematik për të mbrojtur institucionet dhe rendin kushtetues nga çdo tentativë për depërtim të paligjshëm nga brenda apo nga jashtë vendit.
Ky zhvillim është gjithashtu një sinjal i qartë për çdo individ apo rrjet që synon të veprojë në dëm të interesave të Kosovës. Reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tregon se sistemi mbrojtës funksionon dhe është i aftë të ndërhyjë në kohë për të parandaluar rreziqe më të mëdha.