Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq i ka dalë në mbrojtje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky pas debatit të ashpër me presidentin amerikan Donald Trump dhe përzënies nga Shtëpia e Bardhë.
Ai ka thënë se Kroacia e di nga përvoja e saj se vetëm një paqe e drejtë mund të qëndrojë.
“Qeveria kroate qëndron e fortë në besimin e saj se Ukraina ka nevojë për një paqe të tillë – një paqe që do të thotë sovranitet, integritet territorial dhe një Evropë të sigurt.”, ka shkruar Plenkoviq në “X”.
Ky reagim vjen pasi presidenti Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë, ku Presidenti Trump e akuzoi presidentin ukrainas për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa ky i fundit sfidoi udhëheqësin amerikan për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Putin.
Vizita e Zelenskyt në Washington erdhi mes përpjekjesh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Palët pritej të nënshkruanin dhe projekt-marrëveshjen për mineralet e cila do t’i jepte një qasje të gjerë Shteteve të Bashkuara tek pasuritë minerale të Ukrainës.