Afrimi shumë i madh me Rusinë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se e rrit më tej një kërcënim që alarmoi kryeqytetet perëndimore që gjatë vitit të kaluar: rreshtimin e një grupi të frikshëm kundërshtarësh, përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë, në një “aleancë ngatërrestarësh” të udhëhequr nga Rusia.
Të katër vendet janë revizioniste. Ato synojnë të përmbysin një rend global, të cilin e shohin si të rreshtuar kundër tyre. Perëndimi ka frikë se përveç dhënies së mbështetjes ekonomike, ushtarake dhe politike ndaj njëra-tjetrës, këto vende mund të nxisin konflikte, efekteve destabilizuese të të cilave do t’i kundërviheshin me vështirësi. Ndërsa po shkëputet nga aleatët e saj perëndimorë, dhe po angazhohet me Moskën në negociatat për luftën në Ukrainë, Uashingtoni po thotë se një nga qëllimet e tij është të krijojë një pykë midis Rusisë dhe partnerëve të saj. Por kjo qasje është e gabuar.
Rusia pret që herët a vonë të fitojë në Ukrainë, me ose pa një marrëveshje me SHBA. Prandaj, ka shumë pak arsye të ndërpriten lidhjet me partnerë të vlefshëm vetëm për të kënaqur Trumpin. Dhe aleatët e SHBA-së do të ngurrojnë të prishin një marrëdhënie të besueshme me Pekinin, për hir të një marrëdhënieje të ngushtë me Uashingtonin, e cila mund të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
Nëse administrata Trump e heq presionin e SHBA-së mbi Moskën, Rusia mund të ketë lidhje më të forta me shtetet e tjera revizioniste, dhe një shkallë tolerance të paimagjinueshme më parë nga Uashingtoni mbi politikat e saj të jashtme përçarëse.
Por edhe në një mjedis të tillë, oreksi i Rusisë për nxitjen e trazirave globale ka kufijtë e saj. Sepse shpërthimi i konflikteve, nuk do të funksionojë domosdoshmërisht në favor të tij. Duke pasur parasysh burimet e saj të kufizuara dhe luftën me Ukrainën, është shumë e kufizuar aftësia e Moskës për të diktuar rezultatet në avantazhin e saj në pjesë të tjera të botës.
Për shembull në Lindjen e Mesme, Rusia ishte në fillim optimiste se luftimet e muajve të fundit do të dëmtonin kundërshtarët. Por konflikti përfundoi duke dobësuar pozicionin e Moskës, sepse nxori në pah cënueshmërinë e një partneri të ngushtë të Rusisë, Iranit, dhe kulmoi me rënien e një tjetri, regjimit në Siri.
Edhe mbështetja e Rusisë tek partnerë të tjerë përveç Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut ka treguar kufizimet e veta. Nevoja për të mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme me Indinë dhe Arabinë Saudite, i ka zbutur impulset agresive dhe dëshirën e Moskës për të shmangur shqetësimin e vendeve në Jugun Global, dhe e ka detyruar të sillet me shumë kujdes në forumet diplomatike shumëpalëshe, si BRICS dhe OKB.
Këto kufizime do të jenë më të forta teksa Rusia do të vazhdojë të luftojë në Ukrainë Por ato do të vazhdojnë në njëfarë forme edhe pas një zgjidhjeje të mundshme. Aty ku mund të kontrollojë pasojat e ndërhyrjes së saj, Moska ka të ngjarë të arrijë në përfundimin se përfitimet i tejkalojnë rreziqet.
Por aty ku ndërhyrja e saj mund të përshkallëzohet në një konflikt të plotë që kërkon angazhimin ushtarak të Rusisë, Moska mund të tregohet më e përmbajtur. Kjo do të thotë se ajo do të shtojë fushatat e saj të keqinformimit dhe aktet e sabotimit (si sulmet kibernetike dhe dëmtimin e infrastrukturës) në Evropë, duke e ndjerë dëshirën e dukshme të SHBA-së për t’u tërhequr nga kontinenti një mundësi të artë për ta dobësuar më tej NATO-n.
Por frika ndaj përfshirjes në ndonjë konflikt tjetër ushtarake, duhet ta pengojë atë të shkaktojë trazira në Gadishullin Korean, në Lindjen e Mesme dhe madje edhe në vendet afrikane, ku ajo ruan ende një prani trupash. Gjithsesi në Evropë, ka shumë mundësi që të ndërhyrja ruse të përshkallëzohet.
Valët e ardhshme të zjarrvënieve, atentateve dhe keqinformimeve do të kërkojnë vëmendje urgjente. Vendet evropiane, duhet jo vetëm që t’i imponojnë kosto Rusisë për masat hibride duke shtrënguar zbatimin e sanksioneve, por mund të kenë nevojë të pajisen me mjetet për t’u kundërpërgjigjur ndaj sulmeve kibernetike.
Por ato duhet të përgatiten edhe për skenarin më të keq: nëse e percepton aleancën si shumë të dobësuar ushtarakisht dhe të ndarë politikisht për të reaguar në mënyrë efektive, Rusia mund ta përdorë forcën ushtarake të kalibruar me kujdes kundër një anëtari evropian të NATO-s.
Ndonëse aktivitetet e Rusisë në Afrikë, nuk janë një kërcënim i menjëhershëm për Evropën, vendet evropiane duhet të punojnë për të parandaluar një konsolidim të mëtejshëm të pranisë ushtarake të Rusisë në krahun jugor të NATO-s.
Sidomos, duhet të përpiqen të pengojnë planet e Rusisë për të zhvendosur strukturat logjistike që kishte vendosur më parë në Siri në Libi, e cila shërben si qendër e re për operacionet e Korpusit të Afrikës. Përtej Evropës dhe Afrikës, kërcënimi direkt që paraqet Rusia për Perëndimin është i kufizuar, të paktën tani për tani.
Bashkëpunimi i Rusisë me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në fushën e mbrojtjes, është sigurisht një problem, sepse do të rrisë aftësitë ushtarake të të katërve. Por Moska nuk është burimi kryesor i destabilitetit në shumicën e pjesëve të botës.
Gjithsesi, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë për të zbatuar sanksionet dhe kontrollet e eksportit që pengojnë Rusinë dhe partnerët e saj të bashkëpunojnë për të zhvilluar teknologji shumë të ndjeshme.
Administrata e SHBA-së ka dalë tashmë nga disa organe të OKB-së, dhe nëse mosinteresimi i saj për multilateralizmin do të jetë i qëndrueshëm, atëherë boshllëkun duhet ta mbushin vendet evropiane dhe aleate si Australia, Kanadaja dhe Japonia, duke ofruar udhëheqje politike, kompensuar mungesat në burime dhe ofruar mbështetje organizative.
Në të kundërt, Rusia mund ta shfrytëzojë mundësinë për ta dobësuar më tej joshjen ndaj këtyre institucioneve globale.
Shënim: Hanna Notte, drejtore e Programit të Mospërhapjes së Armëve në Qendrën James Martin.