Në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve ka nisur numërimi i votave të diasporës nga votimi me postë.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se numërimi i këtyre votave po bëhet krahas atyre nga përfaqësitë diplomatike numërimi i të cilave ishte paraparë të përfundone dje por që nuk ndodhi ashtu.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i vendvotimeve të fundit nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe tani kemi filluar edhe numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës”, tha Elezi.
Kujtojmë se sipas përditësimit të fundit të bërë mëngjesin e 28 shkurtit, nga 93.02 për qind e votave të numëruara nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 80.75 për qind apo 10.898 vota.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 1.010 vota apo 7.48 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar katër vota më pak se PDK-ja, përkatësisht 1.006 apo 7.45 për qind të votave.
Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.93 për qind apo 260 vota.
Numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit ka nisur pasditen e 26 shkurtit.