Ministri i Financave, Hekuran Murati para pak ditësh është përplasur me Asociacionin e Komunave të Kosovës për çështjen e kontratave kolektive. AAK ka kërkuar që Qeveria të parandalojë kolapsin financiar të komunave, pasi rrezikojnë të mos zbatojnë projektet kapitale dhe të përballen me mbylljen e xhirollogarive – situatë kjo që sipas tyre ka ardhur për shkak të neglizhencës së institucioneve qendrore.
Në reagimin e tij, Murati tha se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti.
Ai madje ka shprehur shqetësimin duke thënë se përmbaruesit kanë abuzuar me këto tarifa.
Por, a është ky një kërcënim i hapur i Muratit ndaj përmbaruesve?
Ende pa përfunduar muaji shkurt, siç ka shkruar Murati, janë dorëzuar 23.118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit për shkak të kontratës kolektive, që ai konsideron se është nënshkruar kundër ligjit.
Shuma e kërkuar për përmbarim, sipas tij, ka arritur në 35.8 milionë euro vetëm gjatë këtij viti, ku 25.6 milionë janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro përbëjnë tarifat e përmbaruesve.
“Një tjetër shqetësim mbetet edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat, ku në disa raste ato tejkalojnë vlerën e vetë borxhit që përmbarohet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati madje ka deklaruar se është e çuditshme pse deri më tash nuk është raportuar për ndonjë hetim nga Prokuroria ndaj personave që “nënshkruan paligjshëm” këtë kontratë dhe shkaktuan dëmin e madh financiar.
Kujtojmë se Asociacioni i Komunave herë pas herë ka reaguar duke bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për kontratën kolektive pasi komunat janë buzë kolapsit financiar.
Asociacioni i Komunave jo rrallëherë ka reaguar duke bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për kontratën kolektive pasi komunat janë buzë kolapsit.
Ndryshe, komunat marrin para nga investimet kapitale për t’i paguar kontratat kolektive të punëtorëve, kryesisht në arsim.