Historia e rëndë e dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, është përsëritur sivjet, duke tronditur publikun.
11-vjeçarja, e cila ishte dhunuar nga 10 burra e djem në qershor e gusht të vitit 2022, raportohet se është dhunuar sërish nga tetë persona të tjerë.
Rasti besohet se ka ndodhur në fillim të muajit shkurt të vitit 2025.
KK ka raportuar se tetë burra kanë kryer marrëdhënie seksuale me 11-vjeçaren.
Rasti që tronditi Kosovën
Në majin e vitit 2024, Gjykata Themelore i kishte dënuar me 34 vjet burgim të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares.
Mirëpo Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ua ulur dënimin me burgim 4 të akuzuarve (grupit të parë) për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Gjykata e Prishtinës me aktgjykimin e shpallur më 31.05.2024 të pandehurin Ekrem Rexhepi e kishte dënuar me 14 vjet dënim me burg, kurse tre të miturit G.R., G.J., dhe Xh.S., me nga 7 vjet burgim secili veç e veç. Kurse, për të akuzuarin e pestë, Shkëlqim Kamberin, rasti ishte veçuar.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 12.11.2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores, me ç’rast të akuzuarit Ekrem Rexhepit dënimin me 14 vjet burg ia ka ulur në 10 vjet burg.
Ndërsa 3 të miturve të akuzuar në këtë rast G.R., G.J., dhe Xh.S., nga 7 vjet burg secilit Apeli ua ka ulur dënimin me nga 5 vjet secilit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, në dënim të pandehurve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 28, respektivisht 29 gusht 2022 deri më 03.05.2023.
Ky aktgjykim është shpallur nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Kymete Kicaj, Beqir Kalludra dhe Abdullah Ahmeti.
Gjykata e Prishtinës herën e parë Ekrem Rexhepin e kishte dënuar me 15 vjet burgim, të miturin G.R. me 9 vjet burgim, kurse G.J. dhe Gj.S. me nga 8 vjet secili.
Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kamberi, mirëpo i njëjti ishte liruar nga akuza në mungesë të provave.
Por Gjykata e Apelit kishte konsideruar se gjykimi ka pasur shkelje procedurale, duke e kthyer rastin në pikën zero.
Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Shkëlqim Kamberit dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit në gusht të vitit 2022 të një 11-vjeçareje.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.08.2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J. dhe Xh.S. e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.
Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin “Cigllana”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, dhe i mituri me iniciale G.J. e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S. ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R. që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J. ka qenë duke ia mbajtur këmbët të miturës.
Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R. dhe Xh.S. e kanë incizuar dhe ia kanë dërguar një personi. Për këtë veprim, ata akuzohen për veprën penale – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.
Nga këtu, sipas Prokurorisë, ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pick up”, dhe i ka marrë në veturë tre të miturit bashkë me 11-vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave, ku dy të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.
Ndërsa, këtë ngjarje Prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G.J., i cili pastaj ia ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë Prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.
Sipas aktakuzës, rreth orës 22:40, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër, Shkëlqim Kamberi, duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, e më pas ia ka huazuar veturën dhe edhe i akuzuari Kamberi e ka dhunuar seksualisht të miturën.
11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht 2022 dhe për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.