Policia e Bielefeldit të Gjermanisë, ku edhe ka ndodhur ngjarja, ka sqaruar situatën lidhur me katër të plagosurit jashtë objektit të gjykatës ku po mbahej seanca për Besar Nimanin, boksierin nga Mitrovica i cili dyshohet se u vra me 16 plumba në marsin e vitit të kaluar.
Në përditësimin e fundit të policisë së Bielefeldit, u tha se ndryshe nga raportimet e mediave gjermane, nuk ka asnjë të vdekur nga katër të lënduarit. Policia thotë se gjendja e tyre është stabile, në përditësimin e orës 23:00 të së mërkurës.
“Hetimet për të sqaruar faktet rreth të shtënave në qendër të qytetit Bielefeld po vazhdojnë. Një nga subjektet e hetimit është se sa persona konsiderohen të dyshuar”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Të katër të plagosurit janë në spital për trajtim. Ndryshe nga raportimet e mediave për të kundërtën, asnjë person i lënduar nuk ka vdekur në këtë moment. Gjendja e të lënduarve aktualisht është stabile”, vijon njoftimi.
“Zona përreth vendit të ngjarjes ishte rrethuar nga policia për të siguruar provat. Tashmë ka përfunduar hetimi i vendit të ngjarjes, me qëllim që të përfundojnë masat e rrethimit”.