Gjykata Speciale në Hagë e ka rrëzuar ankesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën kërkonin që paneli i gjyqtarëve i caktuar për rastin e Thaçit dhe të tjerëve të jenë më neutralë.
Në vendimin e publikuar në uebfaqen e Gjykatës Speciale, rrëzohen pretendimet e përbashkëta të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK’së, ku thuhet se me raste gjyqtarët kanë favorizuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Mbrojtja nuk përmend ndonjë shembull specifik ku konsideron se Paneli ka keqpërdorur diskrecionin e tij të gjerë për t’iu drejtuar dëshmitarëve çfarëdo pyetje që konsiderohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose zbulimin e së vërtetës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e marrë nga gjykata.
Mbrojtja e ish-krerëve shpeshherë është ankuar përgjatë dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë pranë gjykatësve, se këta të fundit po bëjnë pyetje sugjestive.
Në një letër të përbashkët, mbrojtja ka thënë se gjyqtarët kishin pranuar disa dokumente që më vonë përdoreshin gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve nga trupi gjykues. Ata ankohen edhe për kohëzgjatjen e marrjes në pyetje, sipas të cilëve tejkalon edhe kohën e përdorur nga tre prej gjithsej katër ekipeve të mbrojtjes.
“Koha e përdorur për marrjen në pyetje gjyqësore tejkalon kohën e shfrytëzuar nga tre nga katër ekipet e mbrojtjes. Sido që të jetë, koha që i kushtohet pyetjeve gjyqësore është shumë e konsiderueshme dhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të këtyre procedimeve. Kjo është befasuese pasi çdo boshllëk në prova duhet të adresohet nga palët përmes rishqyrtimit, ndërsa pyetja gjyqësore, e cila zakonisht është për të sqaruar aspektet e provave, nuk duhet të zgjasë më shumë se ajo e një pale në procedurë”.