Janë bërë një javë prej kur Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit në një rast lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Por, si duket organi që vendos drejtësi ende nuk ka marr një vendim karshi kësaj kërkese, e cila nga organi i akuzës erdhi pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e saj të mëhershme.
KosovaPress ka kërkuar një përgjigje nga Gjykata Themelore në Prishtinë se a është marr ndonjë vendim lidhur me kërkesën e PSRK-së, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.
E njohës të fushës së drejtësisë konsiderojnë se Kodi i Procedurës Penale nuk ka përcaktuar afat kohor brenda të cilit gjykata duhet t’i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë Speciale, por afati prej 30 ditësh po konsiderohet i mjaftueshëm për të vendosur për këtë çështje.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala deklaron se në rastin konkret janë të mjaftueshme 30 ditë që gjykatësi i procedurës paraprake të marr vendim për kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Në rastin konkret Kodi i Procedurës Penale nuk e ka përcaktuar se për sa kohë duhet t’i përgjigjet Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake, mirëpo këtu duhet ta kemi një afat të arsyeshëm në momentin kur nuk përcaktohet afati në Kodin e Procedurës Penale është parim se duhet të përcaktohet një afat i arsyeshëm. Në rastin konkret konsideroj se është afat i arsyeshëm prej 1 jave deri në 30 ditë që i jepet mundësia gjyqtarit të procedurës paraprake që ai ta dërgoj meqenëse këtu nuk ka në shqyrtim ndonjë shkresë të lëndës, është shumë thjesht i kemi dy ftesa që nuk iu ka përgjigjur, andaj këtu besoj që gjyqtari i procedurës penale nuk ka nevojë më shumë se 30 ditë që t’i jap përgjigje Prokurorisë”, theksoi ai.
Ish-gjyqtari Shala thekson se vetëm pas shoqërimit të Kurtit në Prokurorinë Speciale, atëherë mund t’i shqiptohet masat e arrestit prej 30 ditësh.
“Fillimisht mund t’i shqiptohet edhe një dënim me gjobë nëse edhe ajo shpenzohet edhe dënimi me gjyq, atëherë gjyqtari i procedurës paraprake mund ta jap një urdhër që kryeministri të shoqërohet në ditën dhe kohën e caktuar në Prokurorinë Speciale…Derisa nuk paraqitet tek Prokurori nuk mund të arrestohet askush në cilësinë e dëshmitarit, vetëm mund të shoqërohet dhe të paraqitet. Në momentin kur paraqitet tek Prokurori deklarohet se refuzon e nuk plotësohen kushtet për lirim nga dëshmia mund t’i shqiptohet nga e ana e gjyqtarit një arrest me burg deri në 30 ditë”, thotë Hasani.
Edhe hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi ndan mendimi se nuk ka afat kohor strikt të përcaktuar që gjyqtari i procedurës paraprake t’i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë.
Por, shton se gjyqtari duhet ta ketë parasysh afatin e hetimeve.
“Ka parasysh afatin e hetimeve brenda për brenda të cilit duhet të përfundojnë të gjitha hetimet. Mblidhen të gjitha provat materiale, provat personale, dëshmitarët dhe duke u bazuar mbi këtë afat hetimor edhe gjyqtari i procedurës paraprake e ka parasysh këtë afat dhe vendos që ta aprovoj kërkesën e Prokurorisë Speciale apo jo. Pra, nuk është se kemi një afat strikt dhe të përcaktuar qartë për gjyqtarin e procedurës paraprake se për sa kohë duhet të aprovoj kërkesën e Prokurorisë Speciale”, theksoi ai.
Qëndrim për këtë çështje u kërkua edhe nga Zyra e Kryeministrit, por që nuk janë përgjigjur.
Por, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se nëse Prokuroria Speciale në kërkesën e saj karshi Gjykatës Themelore të Prishtinës ka thënë se Kurti nuk po pranon të dëshmoj kjo është mashtrim dhe e pavërtetë.