Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, tha se qëndrimi i tij në Lëvizjen Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit ishte një obligim moral ndaj votuesve që e kishin zgjedhur.
Rrahmani tha se vendimin për të ardhmen e tij politike, e kishte marrë pas dështimit të Kodit Civil në Kuvend.
“Unë e kam ndjerë obligim moral përpara votuesve që më kanë votuar duke qenë pjesë e Vetëvendosjes. Për këtë arsye, qëndrova për katër vite deri në përfundim të mandatit. Që nga momenti kur nuk kaloi Kodi Civil në Kuvend, kam deklaruar se në fund të mandatit do të marr vendim për angazhimin tim politik dhe për të ardhmen”, tha Rrahmani.
Ai tha se votuesit e tij e kishin zgjedhur si pjesë e listës së VV-së, dhe për këtë arsye, e konsideronte të drejtë përmbushjen e mandatit të tij në atë subjekt politik.
“Kur votuesi e ka votuar emrin tim, e ka votuar edhe në listën e Vetëvendosjes. Edhe pse tani del që vota për mua personalisht është përafërsisht e njëjtë me atë që kam marrë si deputet i VV-së, obligimi moral ishte që të përmbyllja detyrimet që kisha marrë si pjesë e një subjekti politik”, u shpreh Rrahmani.