Shkruar nga Ros Taylor
Ishte nëntori i vitit 2001. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Geoffrey Robertson po zhvillonte një vizitë në Rusi, e cila kishte shprehur simpatinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar pas sulmeve të 11 shtatorit, sidomos mbi luftën kundër terroristëve islamikë, si ata që Vladimir Putini po i fajësonte për luftën në Çeçeni.
Pas tensioneve me Rusinë rreth fushatës ajrore të NATO-s në Jugosllavi dhe vendimit për të pranuar ish-shtetet sovjetike në aleancë, Robertson besonte se mund të ishte vërtet fillimi i një epoke të re në marrëdhëniet NATO-Rusi.
Ai kishte diskutuar tashmë me Putinin mbi mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në NATO: “I thashë se mund të aplikonin për anëtarësim në NATO nëse dëshironin, por se nuk do të kishte tolerime për kriteret”.
Ata i kujtuan njëri-tjetrit se gjatë gjithë historisë së NATO-s, klauzola e mbrojtjes reciproke, Neni 5, ishte përdorur vetëm një herë, dhe jo kundër Rusisë, por kur terroristët sulmuan Amerikën. Dhe më pas Putin, siç kujtoi Robertson në një intervistë për BBC Radio 4, i tha atij në anglisht: “Nëse kjo që propozoni mund të funksionojë, ne do të ndryshojmë botën!”.
Parë në retrospektivë, sot mund të qeshim me optimizmin naiv të asaj epoke. Por pavarësisht nga të gjitha dëshmitë e agresionit rus vitet e fundit, për shumicën e evropianëve NATO ka mbetur një mburojë, një garanci e mbrojtjes.
Pas pushtimit të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda nxituan të braktisnin neutralitetin e tyre dhe iu bashkuan aleancës. Ndërkohë SHBA-ja “mbetet e përkushtuar” ndaj NATO-s, tha në Bruksel Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Por sipas tij ajo “nuk do të tolerojë më një marrëdhënie të çekuilibruar që inkurajon varësinë”.
Evropa duhet të “ketë përgjegjësi për sigurinë e saj’. Ai foli për nevojën për ta bërë NATO-n “sërish madhështore”. Paralajmërimi i Hegseth erdhi menjëherë pasi presidenti Trump shpalli dëshirën e tij për të pushtuar Kanadanë dhe Grenlandën. Asgjë pikë e Nenit 5, nuk ka parashikuar mundësinë që anëtari më i fuqishëm i tij të pushtojë territorin e një vendi aleat. Pastaj erdhi sulmi i egër i Trump ndaj presidentit ukrainas Zelensky, i cili shkaktoi një tjetër të çarë shqetësuese midis SHBA-së dhe Evropës.
Kjo është NATO, por jo siç e njohim ne. Megjithatë, nëse kjo është cilësuar si tronditëse për shumë qytetarë evropianë, ekspertët e mbrojtjes janë të palëkundur. “Jam i tronditur që NATO është befasuar. Evropianët i kanë injoruar alarmet e dhëna prej kohësh. Tani SHBA-ja po na thotë: Këtë problem zgjidheni vetë, pasi ne kemi prioritete të tjera”, thotë Ed Arnold, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Arnold, është një ish-oficer këmbësorie i ushtrisë amerikane, dhe ka punuar selinë evropiane të NATO-s kur Rusia pushtoi Odesën në vitin 2014. Edhe para rizgjedhjes së Trump, Amerika ishte “e mërzitur me evropianët që nuk mbajtën barrën që u takon në aspektin e sigurisë, veçanërisht kur rreziqet e tyre janë shumë më të mëdha”. SHBA-ja ka aktualisht 80.000 trupa në Evropë dhe Trump dëshiron që ata të kthehen në shtëpi. Evropianët që besonin se Neni 5 u jepte atyre një mbrojtje automatike kundër agresionit, e kanë pasur gjithmonë gabim thekson më tej Arnold.
“Traktati është shkruar enkas për të qenë i paqartë, pikërisht sepse amerikanët nuk donin të përfshiheshin në Luftën e Tretë Botërore”, nënvizon ai. Në fakt, çdo anëtar i aleancës është përgjegjës për të vendosur se çfarë e sheh të nevojshme për të mbrojtur integritetin e aleancës.
Dhe kjo mund të mos jetë ndihma ushtarake. “Nëse Rusia do ta pushtonte dhe aneksonte Estoninë dhe SHBA-ja do të dërgonte qoftë një avion të vetëm vëzhgimi AWACS, atëherë do të respektonte gërmën dhe jo frymën e Nenit 5”, thotë Arnold.
Dhe s’ka ndonjë siguri se NATO do të pranonte që të përmendet ky nen. Udhëheqësit e Hungarisë dhe Sllovakisë janë haptazi dashamirës ndaj Rusisë, dhe ata kanë një votë në këshill. “Për disa nga brezi i ri, NATO nuk është organizmi i Luftës së Ftohtë që na ka mbrojtur për 80 vjet, por një institucion që ka dështuar”, shprehet Arnold.
Atëherë çfarë do të jetë në gjendje të bëjë NATO, tani që SHBA nuk e sheh më si prioritet? Dhe kush do të marrë përgjegjësinë kryesore kur të tërhiqet Amerika? Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë ka qenë gjithmonë një amerikan.
Por kjo mund të ndryshojë, thotë Gesine Weber, bashkëpunëtore në institutin German Marshall Fund. Weber ka shkruar mbi modelin e një NATO-je “të fjetur”, që sipas saj është përgjigja më e arsyeshme ndaj pasigurisë në lidhje me angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës.
Pasiguri, që Weber beson se nuk do të zhduket as kur Trump të largohet nga detyra.
“Evropianët do të jenë përgjegjës për pjesën më të madhe të aftësive konvencionale, por SHBA-ja do të mbetej e përfshirë për mekanizmin e parandalimit. Kështu do të vazhdonte të ekzistonte ombrella bërthamore”, thekson ajo.
SHBA-të mund të mbeten vazhdimisht në “prapavijë”, ndaj shtetet evropiane do të duhet të investojnë shumë më tepër në armatime, ushtarë dhe pajisje. Që Evropa të ketë një autonomi të vërtetë strategjike, ajo do të duhet të prodhojë vetë sa më shumë armë.
Industria evropiane e mbrojtjes nuk është ende gati për këtë skenar. Por Weber mendon se mund të sigurojë një nxitje shumë të nevojshme për prodhimin ushtarak evropian. Në fakt, disa vende po mendojnë tashmë në këtë drejtim.
Në media nuk ra shumë në sy, por në tetor 2024 kompania Sheffield Forgemasters në Britaninë e Madhe nënshkroi një marrëveshje për furnizimin me tyta armësh të kompanisë gjermane Rheinmetall AG si pjesë e Marrëveshjes së Trinity House.
Duke qenë jashtë BE-së, Britania e Madhe nuk është pjesë e Fondit Evropian të Mbrojtjes. Por kjo mund të ketë më pak rëndësi se dikur. Ndërsa realitetet gjeopolitike po ndryshojnë, dhe BE-ja përpiqet të gjejë konsensus, Polonia ka më shumë gjasa të gjejë një partner të përshtatshëm në mbrojtje tek Britania, sesa tek një Hungari shumë miqësore me Putinin.
Por ambicia e Zelenskyt për një “ushtri evropiane”, një ide që dikur ishte pjesë e leksikut euroskeptik, ka shumë pak gjasa që të realizohet. “Kjo ide është jashtë diskutimit. Sepse do të thotë të krijosh gjithçka nga e para, gjë që do të kërkonte shumë kohë dhe burime. Për ne do të jetë shumë më e lehtë të shfrytëzojmë faktin që BE dhe ushtritë e tjera kanë tashmë ndërveprueshmëri midis tyre”, thekson Weber.
Në fund të fundit, gjithçka nxitet nga frika. A është publiku evropian gati të jetojë në një ekonomi lufte? Sa shqetësohet pjesa tjetër e BE-së dhe Britania për anëtarët e saj më të rinj në lindje?
Në rast se evropiano-perëndimorët, do të arrijnë në përfundimin se kanë mjaft probleme për të zgjidhur në shtëpi, NATO do të jetë de fakto e vdekur. Por nëse Rusia perceptohet edhe një herë si një kërcënim ekzistencial, atëherë aleanca do të jetë e rëndësishme edhe për shumë kohë. “The New European”