Gjuajtje me armë zjarri janë dëgjuar sonte në Klinë, si pasojë e të cilave, burimet bëjnë me dije se një person ka mbetur i plagosur dhe një tjetër është rrahur me mjete të forta.
Përleshja ku u përdor edhe arma ndodhi në qendër të qytetit, në afërsi të marketit “QTA”.
Të njëjtat burime po ashtu konfirmojnë se viktimat dhe dorasitë janë nga i njëjti fshat i qytetit të Klinës.
Bëhet fjalë për fshatin Jashanicë.
Motivet e rastit ende janë të panjohura, teksa Policia dhe ekipet mjekësore kanë dalë në vendngjarje ku dhe po merren me rastin.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:41, kurse ka shtuar se njëri nga të dyshuarit është larguar nga vendngjarja.
I njëjti ka bërë të ditur se tre të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 22:41 minuta Stacioni Policor në Kline është njoftuar se në fshatin Jashanicë tre persona janë të lënduar. Njëri prej tyre dyshohet se është lënduar me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë me mjete të forta. Ndërkaq, njëri i dyshuari i identifikuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Të lënduarit janë dërguar për në emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës. Të gjitha njësitë policore kompetente janë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Gashi.