Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga partnerët e tyre.
Kështu ka ndodhur së fundmi në Ferizaj, ku një person u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas me të cilën bashkëjeton.
Rasti ndodhi pas një konflikti verbal mes tyre, që fillimisht eskaloi në kanosje serioze e më pas edhe në dhunë fizike.
Sipas informacioneve të para, burri i dyshuar, u kap me gruan pasi ajo kishte shkuar në një sallon për t’i rregulluar flokët dhe në shenjë revolte e kërcënoi.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari 33-vjeçar, i cili ka të kaluar kriminale, e kanosi gruan duke iu drejtuar me fjalët “sonte hoxha ka me t’knu, hiç mos u ndreq” dhe për të mos mbaruar me kaq, shkoi te salloni ku ajo ndodhej.
Aty situata eskaloi pasi i dyshuari e kapi për krahu viktimën që ta nxjerrë jashtë, por pronarja e lokalit arriti që ta ndalë dhe e lajmëroi Policinë.
Si rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar dhe e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor dyshuarin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprave ‘Dhuna në familje’, ‘Sulmi’ e ‘Kanosja’.