spot_img
Saturday, February 22, 2025
spot_img

Emisari amerikan përmbyll vizitën “intensive” në Kiev

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën tha se ka zhvilluar diskutime “të gjata dhe pozitive” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa Shtëpia e Bardhë po synon të arrijë një marrëveshje me Kievin për të pasur qasje në mineralet kritike të vendit në këmbim të ndihmës amerikane.

“Një ditë e gjatë dhe intensive me udhëheqjen e lartë të Ukrainës”, shkroi Keith Kellogg më 21 shkurt në X. Këto ishin deklaratat e tij të para lidhur me takimin që zhvilloi me Zelenskyn, pasi gazetarët u mblodhën më 20 shkurt për një konferencë për media, e cila u anulua në minutat e fundit.

Kellogg e quajti presidentin ukrainas “udhëheqës të guximshëm të një shteti në luftë”, teksa Zelensky tha se takimi “kthen shpresën” pas një mosmarrëveshjeje publike mes Kievit dhe Uashingtonit, me Trumpin që e quajti presidentin ukrainas një “diktator pa zgjedhje” dhe Zelenskyn që tha se presidenti amerikan po i bën jehonë propagandës ruse.

Komentet vijnë në ditën finale të vizitës disaditore të Kelloggut në Ukrainë dhe vetëm disa ditë pasi SHBA-ja dhe Rusia mbajtën bisedime në Arabinë Saudite lidhur me përfundimin e luftës trevjeçare në Ukrainë.

Përveç eksplorimit të rrugës deri te një marrëveshje paqeje, vizita e Kelloggut u zhvillua në mes të diskutimeve mes Kievit dhe Uashingtonit lidhur me arritjen e një ujdie që do t’i jepte qasje SHBA-së në depozitat e mineraleve kritike ukrainase si kompensim për ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe po ashtu për sigurimin e ndihmës së mundshme amerikane në të ardhmen.

Kushtet specifike të ofertës amerikane nuk dihen dhe po ashtu mbetet e paqartë nëse është bërë përparim gjatë vizitës së Kelloggut.

Reuters dhe Axios kanë raportuar se zyrtarët amerikanë gjatë vizitës së Kelloggut kanë paraqitur një marrëveshje të re për mineralet, pasi Zelensky refuzoi ofertën fillestare të paraqitur nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, që do t’i jepte SHBA-së 50 për qind të aksioneve në burimet natyrore të Ukrainës, përfshirë në minerale, naftë dhe gaz.

Oferta e re e SHBA-së raportohet se synon që të arrihet shpejt një marrëveshje më e thjesht me Kievin dhe më pas të negociohen kushtet e detajuara. Zelensky shprehu shqetësim për disa pika, kur refuzoi ofertën javën e kaluar, përfshirë mungesën e garancive të sigurisë për Ukrainën. Oferta e re amerikane thuhet se ka disa “përmirësime” në krahasim me atë të mëhershmen, sipas Reuters dhe Axios.

Këshilltari për siguri kombëtare në SHBA, Mike Waltz, tha më 21 shkurt se ai pret që Kievi të nënshkruajë marrëveshjen, pasi sipas tij, ajo do të jetë e mirë për Ukrainën, duke shtuar se kjo do të “rikthejë qindra miliarda dollarë që janë investuar në këtë luftë” për taksapaguesit amerikanë.

“Presidenti Zelensky do ta nënshkruajë atë marrëveshje”, tha ai. “Këtë do ta shohim shumë shpejt”.

Trump ka thënë disa herë se dëshiron një formë kompensimi për ndihmën që Uashingtoni ka dhënë për mbrojtjen e Ukrainës dhe ka thënë se dëshiron që të arrihet një marrëveshje për mineralet para se të autorizojë mbështetjen e mëtejshme ushtarake amerikane.

Qasja në burimet ukrainase, veçmas në depozitat e mineraleve të rralla të tokës, mund të vlejë trilionë në total.

Uashingtoni tha se dëshiron minerale kritike të Ukrainës në vlerë prej 500 miliardë dollarësh, por sipas Zelenskyt këto komente nuk ishin “serioze”.

Mospajtimet lidhur me burimet ndihmuan që kriza të thellohej në raportet mes Kievit dhe Uashingtonit, teksa u këmbyen një sërë kritikash publike dhe u nxit frikë në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane se bisedimet SHBA-Rusi në Riad mund të linin anash Ukrainën dhe të sillnin një marrëveshje të paqes, që do të favorizonte Rusinë.

“Scott Bessent në fakt shkoi atje dhe u trajtua mjaft ashpër, sepse ata në fakt i thanë ‘jo’”, tha Trump për gazetarët më 19 shkurt. “Ai u kthye duarbosh. Nuk e nënshkroi dokumentin”.

Në mes të vizitës së Kelloggut në Ukrainë dhe ritmi i shpejtë i diplomacisë për të arritur një marrëveshje të paqes për luftën, zyrtarët ukrainas thanë se 12 civilë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse në 24 orët e fundit.

Zyrtarët thanë se sulmet ruse – që përfshin 160 dronë rusë – goditën disa shtëpi dhe dëmtuan infrastrukturë në rajonet e Donjeckut, Hersonit, Nikopolit dhe Zaporizhjës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit