Komentatori Andin Lokaj është suspenduar për një muaj nga puna.
Siç raportohet platforma kabllore Artmotion ka vendosur për shqiptimin e masës disiplinore të suspendimit të Lokajt nga puna për një muaj.
Suspendimi i Lokajt ndërlidhet me fjalët fyese të tij drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë komentit të ndeshjes së serisë A italiane Juventus-Inter të dielën.
Lokaj e quajti “hajvan” liderin e Lëvizjes Vetëvendosje në hyrjen e transmetimit të ndeshjes Juventus-Inter. Kurti, dy javë më parë i ofendoi me të njëjtin term – ‘hajvan’ – liderët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Komenti i së dielës i Lokajt e trazoi rrjetin dhe e hoqi atë nga kabina e komentimit të derbit në pushimin mes pjesëve, me platformën Artmotion që e zëvendësoi atë me një komentator tjetër.