Gazeta gjermane Bild shkruan se në pjesën më të madhe të Evropës është ngritur një shqetësim i madh rreth negociatave SHBA-Rusi dhe se ekziston mundësia që ushtria amerikane të tërhiqet nga Kosova.
Sipas Bild, shërbimet perëndimore të sigurisë kanë frikë se bisedimet SHBA-Rusi mund të çojnë në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesët më të mëdha të Evropës.
Një zyrtar i sigurisë së Evropës Lindore tha për Bild se, sipas informacioneve, ky akt i referohet kërkesave të presidentit rus Vladimir Putin në vitin 2021, të cilat përfshinin edhe një kusht për tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha vendet e NATO-s të cilat iu bashkuan Aleancës pas vitit 1990.
Skenari më i keq i mundshëm është një pushtim i drejtpërdrejtë i ushtrisë ruse në ish-republikat sovjetike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe një luftë me Poloninë.
Sipas Bild, Italia po përgatitet për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
“Aleatët evropianë atëherë do të ishin vetëm në Ballkan kundër aleatit të Putinit, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në artikullin e gazetës gjermane.
Në një lloj reagimi ndaj shkrimit të Bild, një zyrtar i NATO-s tha se zyrtarët amerikanë kanë shprehur qartë përkushtimin e tyre ndaj aleancës ushtarake, duke përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë, dhe se mbrojtja e NATO-s duhet të mbetet e fortë.
Në përgjigjen me shkrim që ky zyrtar i NATO-s ia ka dërguar agjencisë së lajmeve, KosovaPress, thuhet se si pjesë e kësaj, SHBA-të kanë shprehur qartë pritshmëritë e tyre që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në kuadër të sigurisë sonë të përbashkët.
“NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati. Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa,” ka thënë zyrtari i NATO-s.