Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy të pandehurve B.Sh. dhe M.Q.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë kryer veprën penale “spiunazhi”.
“Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimi e Prokurorisë.
Më tej thuhet se prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë”, thuhet në njoftim.