Gjykata Themelore e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë Speciale që ta urdhërojë kryeministrin Albin Kurti të paraqitet në organin e akuzës për të dëshmuar në rastin penal për rezervën shtetërore. Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, liston tri veprime të cilat gjykata mund t’i ndërmarrë.
Prokuroria Speciale i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesën që ta urdhërojë kryeministrin Albin Kurti të paraqitet në organin e akuzës, për të dëshmuar në një rast penal.
Në Gjykatë konfirmuan të mërkurën se kërkesa është duke u shqyrtuar.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Por ky institucion nuk ka ndarë hollësi në lidhje me kërkesën e pranuar.
Kurti është ftuar dy herë nga Prokuroria për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore. Që të dy ftesat janë refuzuar nga kryeministri, i cili ka kërkuar që prokurorët t’i shkojnë në zyrë për ta intervistuar, me arsyetimin se praktikë të tillë ka pasur me kryeministrat e mëhershëm.
Ish-gjyqtari Fejzullah Hasani, i cili ka drejtuar Gjykatën Supreme, thotë se ekzistojnë tri veprime të cilat gjykata mund t’i ndërmarrë, pas kërkesës së Prokurorisë.
“Me kërkesë të prokurorit, Gjykata i ka këto mundësi, i ka tri alternativa: ta detyrojë me forcë të paraqitet, ta gjykojë me gjobë ose eventualisht nëse paraqitet në gjykatë por hesht, atëherë gjykata e ka mundësinë e tretë – caktimin e paraburgimit derisa ai të bindet të flasë, por jo më tepër se 1 muaj ditë”, ka thënë ai.
Veprimet e Gjykatës në raste të tilla, Hasani i ka ilustruar me atë të ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi.
Rreth 14 vjet më parë, Kuçi ka refuzuar të dëshmojë në rastin e Fatmir Limajt, që atëkohë ishte i dyshuar për krime lufte.
Ai ishte sjellë me forcë, por nuk ishte deklaruar. Shkaku i kësaj, gjyqtarët ndërkombëtarë ndaj tij patën caktuar masën e paraburgimit.
Sipas ish-gjyqtarit Hasani, në lidhje me sjelljen me forcë, përveç policëve e gardianëve, ligji nuk bën përjashtim.
Hasani ka thënë se është në diskrecion të Gjykatës të përcaktohet për cilëndo nga të tria alternativat.
Megjithëkëtë, ai ka shprehur bindjen se kryeministri Kurti do ta zbatojë vendimin e gjykatës.
“Nuk besoj që tani nuk do të paraqitet kryeministri për faktin se do të ishte e dëmshme, së pari, për imazhin e shtetit, por do të na dëmtonte edhe karshi faktorit ndërkombëtar, pasi ne jemi në proces të integrimeve dhe qasja e tillë ndaj institucioneve të drejtësisë sigurisht nuk do të shihej mirë nga institucionet ndërkombëtare, plus do të krijohej një situatë jo e këndshme për vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Hasani.
Në Qeveri nuk komentuan kërkesën e Prokurorisë Speciale drejtuar Gjykatës, dhe as nuk treguan se si do të përgjigjet kryeministri Kurti ndaj vendimit të Gjykatës.
Anëtarë të kabinetit të Kurtit e patën interpretuar ftesën të ndikuar politikisht, meqë ajo u bë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit.