Monumenti simbol i Pavarësisë së Kosovës, i cili gjendet në qendër të Prishtinës “NEWBORN” ka marrë pamje të re për nder të 17-vjetorit të pavarësisë.
Ky dizajn i ri është përshëndetur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, i cili krahas komenteve, ka ndarë dhe video të këtij simboli të veçantë.
“Një herë në vit, tamam në këtë ditë, ua heq me kënaqësi kapelen autorëve të këtyre gërmave monumentale”, shkruan Rama.
Koncepti i realizuar nga autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, synon të bashkojë organiken me dixhitalen, duke reflektuar ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale.
Si çdo vit, një ekip prej rreth 10 personash të udhëhequr nga autori Ismaili, “NEWBORN” merr pamje të re dhe aktuale, duke zbukuruar kryeqytetin dhe duke i dhënë kuptim të veçantë përvjetorit të pavarësisë.