spot_img
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Traktati i Londrës, si ia shkëputën Shqipërisë 40 për qind të territorit – ja kur nisi copëtimi i trojeve shqiptare!

Më 29 korrik 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës, pjesë e Konferencës së Ambasadorëve të zhvilluar gjatë viteve 1912-1913.

Në Konferencën e Ambasadorëve nuk u njoh vetëm pavarësia e Shqipërisë por u zyrtarizua edhe ndarja përfundimtare e kufijve shqiptarë. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, ndonëse vulosnin dështimin e planeve shoviniste të shteteve dhe qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, gjithsesi vendosën që fillimisht të shkëpusnin nga trungu shqiptar, Kosovën dhe tokat e Shqipërisë Lindore, që sot quhen Maqedonia Perëndimore. Më pas u diskutua dhe fati i trojeve në jug, si Çamëria. Kjo konferencë erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftërat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera lidhur me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve. Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

Vendimi

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912- 1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Memdsdorf. Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lichnowsky. Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali. Rusia u përfaqësua nga diplomati Benckerdorff. Britania e Madhe u përfaqësua nga ministri i Jashtëm i saj Grey. Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike.

Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim. Konferenca filloi punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.

Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike.

Copëtimi

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona, që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë, që u vendosën në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dhe qytetin e Tivarit dhe Podgoricën, ku, gjithashtu, kishte popullata shqiptare. Për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë aneksimin e trojeve shqiptare.

Luftime të rrepta u zhvilluan në Plavë e Guci, ku sipas burimeve të kohës “zona kufitare u mbulua me gjak”. Forcat malazeze nuk mundën të marrin Plavën e Gucinë dhe kërkuan nga Kongresi i Berlinit një zonë tjetër. Kongresi caktoi Hotin e Grudën, ku sërish pati luftime të përgjakshme dhe forcat malazeze nuk arritën të thyejnë qëndresën shqiptare. Kongresi atëherë i dha Ulqinin Malit të Zi. Forcat e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u ndodhën para sulmeve të ushtrisë malazeze dhe nga lindja nga sulmet e ushtrisë Osmane, e cila u dërgua nga Sulltani për të shtypur Lidhjen dhe për të dorëzuar Ulqinin te malazezët. Shqiptarët u tërhoqën dhe u mundën nga forcat e shumta osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha, të cilat shkatërruan Lidhjen e Prizrenit në një sërë betejash. Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë.

Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, nxitën shtetet ballkanike që të vepronin me shpejtësi në copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia lidhën aleanca politike dhe ushtarake ndërmjet tyre dhe në tetor të vitit 1912, ato i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke shënuar kështu fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Shqiptarët mbajtën një qëndrim asnjanës në këtë luftë, por u shqetësuan kur shihnin se shtetet ballkanike synonin ndarjen e territoreve shqiptare. Për pasojë shqiptarët mbajtën një kuvend në Vlorë dhe me 28 nëntor 1912 shpallën Pavarësinë e Shqipërisë.

Pavarësia nuk u njoh nga disa vende, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t’i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjatë kësaj kohe u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare. Leon Trocki, i dërguar si korrespondent mbi Ballkanin, tregon se si “fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbinë e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje…”. Sipas burimeve të huaja, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913. Më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat diskutuan për fatin e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan, por duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Çamërinë, por duke lënë brenda kufijve territore që sot janë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë si p.sh. Shën Naumi.

Pasojat

Copëtimi i 1913-ës la pasoja të rënda në kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare deri më sot, me pasoja që vazhdojnë të rëndojnë mbi kombin shqiptar, i cili është në tkurrje e sipër si pasojë e këtij copëtimi edhe në ditët e sotme. Katër vilajetet shqiptare të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, u propozuan për autonomi nga Lidhja e Prizrenit. Të gjendur nën pushtimin e ushtrive serbe, malazeze e greke, me qindra mijëra shqiptarë nga troje që sot gjenden në Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Greqi, morën rrugën e u dyndën si refugjatë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile, dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.

Copëtimi i trojeve shqiptare la jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët historikisht, dhe më shumë gjysmën e popullsisë shqiptare të asaj kohe. Në Kosovë, trupat serbe ushtruan terror dhe u munduan ta ndërrojnë përbërjen e popullsisë me anë të shpërnguljeve me dhunë. Gjuha shqipe u ndalua, dhe dhjetëra mijëra serbë, kolonë u vendosën në tokat e shqiptarëve të vrarë ose të përzënë. Më shumë se 150 000 shqiptarë u detyruan të lenë Kosovën në vitet 1912-1920. Shumica e tyre u vendosën në Shqipëri, në zonat e Fierit, Lushnjës, Durrësit e Kukësit.

Po ashtu, popullsia çame u spastrua në përmasa të mëdha, duke lënë në Çamëri vetëm një pjesë të popullsisë çame të besimit ortodoks, që sot numëron 30-70 mijë banorë në Çamëri. Pasoja e këtij copëtimi ende ndjehen në kombin shqiptar, ku shembujt më të freskët janë Lufta e Kosovës në 1998-1999, dhe rebelimi i armatosur në Maqedoni në 2001-shin. Copëtimi i Shqipërisë është një barrë e rëndë për kombin shqiptar, e cila ka shtyrë shumë atdhetarë që pas copëtimit të punojnë politikisht e me përpjekje të armatosur, për ribashkimin e kombit shqiptar. Kjo i dha jetë dhe çështjes kombëtare shqiptare, ribashkimit të trojeve etnike shqiptare të copëtuara në 1913-ën.

Letra

Në fillim të janarit të vitit 1913, Qeveria e Përkohshme Shqiptare, e kryesuar nga Ismail Qemali, u dërgon ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të mbledhur në Konferencën e Londrës, një memorandum për të mbrojtur kufijtë natyrorë shqiptarë. “ë vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe të udhëhequr nga dëshira e kancelarive të nderuara evropiane, që të realizojnë një vepër të shëndetshme dhe të qëndrueshme, populli shqiptar frymëzohet nga nevojat lokale dhe nga popujt që e rrethojnë në Ballkan, për të deklaruar se paqja dhe qetësia në gadishull do të arrihen vetëm nëse do t’i jepet Shqipërisë së ardhshme një konfigurim homogjen. Populli shqiptar kërkon që t’i kthehen kufijtë e tij të natyrshëm dhe të domosdoshëm, si arsye e kushteve etnike dhe si banorë të parë të këtyre tokave. Për këtë, ai është i bindur se falë dashamirësisë vigjilente të Fuqive të Mëdha do të merren hapa për të siguruar që këto parime të respektohen në mënyrë rigoroze.

Tokat që ne pretendojmë nisen nga kufijtë e sotëm të Malit të Zi dhe përfshijnë në mënyrë të veçantë rrethinat përkatëse të qyteteve të Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Manastirit deri në Metsovo (afër me Janinën), dhe nga Metsovo deri në Prevezë. Duke pretenduar këta kufij, populli shqiptar ka për qëllim të ketë me fqinjët e tij marrëdhënie të ngrohta dhe afatgjata. Pavarësisht arsyeve etnike, gjeografike e historike që militojnë në favor të këtij kufiri racional, shtojmë se pakësimi apo reduktimi i kufijve natyrorë nga Evropa rrezikon të vendosë shtetin shqiptar në paaftësinë e tij natyrore për të jetuar jetën e tij, sepse do t’i mungojnë, nga pikëpamja ekonomike, resurset thelbësore për zhvillimin e tij normal. Sidomos, lokalitetet e përmendura më sipër janë të banuara pothuajse të gjitha nga shqiptarë.

Lidhur me përcaktimin e kufijve në terren, një komision i përbashkët do të mobilizohet më vonë. Ai do të ndërhyjë jashtë çdo lloj ndikimi dëmtues interesash dhe do të përbëhet në mënyrë që të japë garanci fqinjëve të shtetit të ardhshëm shqiptar. Kombi shqiptar ka dhënë edhe në të kaluarën prova të mjaftueshme të pikëpamjes së tij mbi çështjet politike: tek ai, interesi kombëtar ka qenë gjithmonë mbi atë fetar, ndërsa tek popujt fqinj feja ka qenë burim konfliktesh e mosmarrëveshjesh… …Në përfundim, populli shqiptar është i bindur se në zgjidhjen e konfliktit aktual, Fuqitë e Mëdha nuk do të neglizhojnë shqyrtimin e pikave të ngritura në këtë memorandum, dhe se ato nuk do të mbeten indiferente ndaj kërkesave të drejta të një kombi të denjë për një fat më të mirë, i cili ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe që ka vënë në të ardhmen e tij të gjitha shpresat dhe besimin më të madh. Shqipëria dëshiron, gjithashtu, të jetë pjesë e progresit mbarëkombëtar dhe të ketë vendin e saj mes njerëzve të kombeve të qytetëruara, për këtë arsye ajo i kërkon Fuqive të Mëdha t’i sigurojnë asaj të Ardhmen”, – thuhet në letër.

Zanafilla

Copëtimi i Shqipërisë ishte procesi i ndarjes së trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në 1913. Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.

Historiani Kristo Frashëri shkruante vite më parë para se të ndërronte jetë se “Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me AustroHungarinë përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore.

Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik”. Sipas Frashërit “Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman.

Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi, gjithashtu, vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e ShënStefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës”.

Vendimet

Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Për Kristo Frashërin ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. “Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit).

Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Sipas historianit, “Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik”. Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868.

Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës”. Kristo Frashëri përmend se “me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme.

Reformat administrative autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, po r serb në vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonomy”. Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit