Klubi Fer Volely Ferizaj të martën nënshkroi me një volejbolliste nga Kolumbia.
Anise kishte marrë oferta të ndryshme nga Kosova, sipas kolumbianes, Manuela Sierra, nënshkrimi me klubin volejbollistik Fer Volley Ferizaj ishte zgjidhja më e mirë.
Sierra ka dhënë detaje nga karriera e saj prej volejbollisteje, si dhe lidhjen e saj me Shqipërinë e Kosovën.
26 vjeçarja fillimisht tregoi se dikur volejbolli nuk i pëlqente fare.
“Fillova të luaja kur isha në shkollë. Të gjithë miqtë e mi e pëlqyen dhe nuk më pëlqente të luaja, gjithmonë i shikoja duke luajtur, nuk më pëlqente fare, por një ditë një trajner më ftoi të luaja dhe pas kësaj nuk u ndala kurrë”, tha Sierra.

Tutje, kolumbiania tha se ndihet shumë e lumtur që gjendet në një vend si Kosova ku njerëzit e kanë mirëpritur.
“Çdo ligë e vetme që luaj është një hap i madh për mua. Unë kam punuar shumë për të qenë këtu ku jam tani, kështu që jam shumë i lumtur dhe mirënjohës që jam këtu. Kam vetëm tre ditë që jam këtu, por më kanë pritur shumë mirë dhe të gjithë janë treguar shumë mirë me mua”, tha ajo.
Ndërkaq, theksoi se pret që me klubin të arrijnë të jenë kampionë.
“Pres rezultate shumë të mira. Ajo që kam dëgjuar për ekipin tonë është se është shumë i fortë dhe se ne kemi shanse të mira, kështu që synimi ynë është gjithmonë të jemi kampionë”, u shpreh ajo.

Manuela, e cila ishte pjesë e klubit volejbollistik, Vllaznia atë eksperiencë e vlerëson si shumë sfiduese.
“Eksperienca ime në klubin Vllazni ishte shumë sfiduese, kam pasur momente shumë të vështira në garë, por pavarësisht vështirësive kam pasur një rezultat të mirë në planin personal”, tha Sierra.

E, sa i përket diferencës së kostos së jetesës, Sierra kundroi se në Kosovë mund të jetë më shtrenjtë.
“Nuk e kam bërë vërtet krahasimin e çmimeve, por mendoj se në krahasim me Kolumbinë gjithçka mund të jetë më e shtrenjtë këtu”.
Sa i përket gjuhës shqipe, kolumbiania “premtoi” se do të mësojë sa më shumë që të mundet, anipse asaj i duket gjuhë e vështirë.