Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se Serbia po pret rikthimin e Donald Trump, në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të rikthyer në tryezë shkëmbimin e terroriteve me Kosovën.
Për gazetën ajo ka vlerësuar se kandidati republikan nuk ka vizion të qartë për çështjet e Ballkanit.
“Shkëmbimin e territoreve e pret apo shpreson Serbia. Nuk jam e sigurt se ish-presidenti Trump ka një vizion të qartë për Ballkanin. Gjithçka do të varet nga individët e caktuar për të trajtuar Ballkanin”, ka pohuar ajo.
Edhe me një rikthim të Trumpit në pushtet, Biserko nuk pret që ai të merret me punët në Ballkan.
“Duke pasur parasysh problemet me të cilat përballet vetë Amerika, unë pres që nuk do të ketë angazhim të rëndësishëm në Ballkan. Analistë të ndryshëm nga ana e tij kanë vizione të ndryshme; për shembull, Grenell beson se Trump do të angazhohet në Ballkan”, ka theksuar më tej ajo.
“Shumë varet gjithashtu nga mënyra se si do të zhvillohet më tej situata ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, nga mënyra se si do të pozicionohet BE-ja në raport me administratën e re dhe nëse do të ruajë fokusin aktual në rajon”, ka shtuar Sonja Biserko.
Për mundësinë e rikthimit të idesë për shkëmbim territoresh, kishte paralajmëruar muaj më parë edhe studiuesi i lartë dhe koordinatori i projekteve në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, Ledion Krisafi.
Ai kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që të përgatitet për një skenar të tillë, në rast se Donald Trump i fiton zgjedhjet në SHBA, pasi ai do të rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Donald Trump është i paparashikueshëm. Duhet thënë që administrata e tij ishte më dashamirëse me Beogradin se sa me Prishtinën, sidomos me të dërguarin amerikan Richard Grenell. Mendoj se ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rikthehet dhe mund të jetë më imponuese se sa herën e parë dhe ky imponim mund të çojë në pikën që Kosova të izolohet nga SHBA nëse nuk e pranon një marrëveshje të tillë. Mund të përfundojmë në skenarin e marrëveshjes së Uashingtonin, ku Kosova dhe Serbia u detyruan ta firmosnin, pavarësisht se thuajse nuk e kishin lexuar fare marrëveshjen. Ekziston mundësia që në fund të luftës së Ukrainës, Rusia të ofrojë një marrëveshje të madhe kufijsh në Evropën Lindore, që do të përfshinte Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe ndoshta veriun e Kosovës. Kjo është një ide e vjetër ruse, por që Rusia mund të jetë në gjendje ta ofrojë nëse arrin të fitojë luftën në Ukrainë. Një marrëveshje e tillë mund të pranohej nga një administratë Trump dhe do të përfshinte dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet ta shohë një skenar të tillë si utopi, përkundrazi duhet të përgatitet për diçka të tillë. Nuk ka asgjë të keqe të flasim dhe për shkëmbime territoresh, nuk duhet të jetë vijë e kuqe. Nëse problemet zgjidhen një herë e mirë me shkëmbim territoresh, është një ide që duhet marrë në konsideratë. Qeveria e Kosovës, cilado qoftë, duhet të jetë më pragmatike, më realiste në politikën e jashtme. Nga Kurti shoh një idealizëm dhe dogmatizëm që nuk shkon në politikën e jashtme. Jemi në një situatë ku nuk ka më rendësi kush ka të drejtë dhe kush jo, por të gjithë shohin interesat e veta”, kishte deklaruar Krisafi .