Marrëdhëniet iraniano-izraelite nuk kanë qenë gjithnjë armiqësore. Madje në kohën e Shahut, të dyja vendet kishin një partneritet të ngushtë. Por udhëheqja aktuale iraniane, e kundërshton të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
Sipas këndvështrimit të Teheranit, një shtet hebre në rajon është i papranueshëm, imoral dhe në thelb i papajtueshëm me parimet mbi të cilat është themeluar republika islamike. Udhëheqësit iranianë, e kanë shpallur vazhdimisht dhe zyrtarisht shkatërrimin e Izraelit si qëllimin e tyre.
Madje në një shesh të Teheranit, kanë vendosur një orë shënon kohën deri në vitin 2040, kur ata besojnë se do të ndodhë “ngjarja e gëzueshme”. Në kuadër të synimit për dominim në rajon, Teherani i ka kaluar 40 vitet e fundit duke bërë luftë kundër Izraelit, kryesisht përmes rrjetit të tij të përfaqësuesve.
Duke pasur parasysh këto ambicie, Izraeli e sheh programin bërthamor të Iranit si një kërcënim ekzistencial. Ashtu si me çdo armë bërthamore, kërcënimi kryesor qëndron tek vetë ekzistenca e saj. Edhe nëse nuk ka gjasa që Irani të nisë një sulm menjëherë pas pajisjes me një bombë të tillë, vetë zotërimi i saj do ta ngrinte shumë statusin e vendit, duke e ndryshuar drastikisht ekuilibrin rajonal në favor të tij.
Për vite të tëra, Izraeli ka punuar pandërprerë për të vonuar dhe çmontuar programin bërthamor të Iranit përmes të gjitha mjeteve të mundshme, politike, ekonomike, të shërbimeve sekrete, sabotazhit dhe atyre ushtarake. Në këtë përpjekje, është përfshirë edhe koordinimi me SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore për të ushtruar presion mbi udhëheqjen iraniane dhe për të vendosur sanksione.
Fushata ka përfshirë edhe sulme kibernetike, vrasjen e shkencëtarëve kryesorë bërthamorë iranianë dhe sabotimet në bazat bërthamore dhe mbi pajisjet kryesore të programit atomik. Njëkohësisht, Izraeli është duke u përgatitur për një operacion ushtarak.
Në 3 raste të veçanta midis viteve 2010-2012, udhëheqja izraelite iu afrua fillimit të një sulmi, por në fund u frenua, kryesisht për arsye politike. Tani, veprimi ushtarak është rikthyer në tryezën e diskutimit. Gjatë luftimeve të vitit të kaluar, Izraeli dobësoi rëndë aleatët dhe përfaqësuesit e Iranit, përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban.
Ndërkohë rrëzimi i Assadit, i ka privuar forcat pro-iraniane nga baza e tyre siriane. Për pasojë është dëmtuar ndjeshëm strategjia e vjetër e Iranit për të zhvilluar luftën përmes micilive përfaqësuesve. Dhe kjo ngre pyetjen: A do të kundërpërgjigjet Irani duke e përshpejtuar programin e tij bërthamor, dhe duke prodhuar bombën, si një mjet i ri për t’iu kundërvënë Izraelit
Apo udhëheqja e tij do të zgjedhë të mbetet një shtet “në pragun e pajisjes me bombë”, duke kërkuar një marrëveshje të re me Perëndimin? Dobësimi i përfaqësuesve të Iranit në rajon, dhe veçanërisht Hezbollahut, e ul pragun që Izraeli të vendosë fillimin e një sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Programi bërthamor iranian, përbëhet nga një rrjet i gjerë vendndodhjesh të përhapura në të gjithë vendin, me rreth 20 vendndodhje të njohura publikisht. Disa nga këto objektiva janë të groposura thellë nëntokë dhe të fortifikuara në një shkallë që e bën shumë sfidues shkatërrimin e tyre.
Gjithsesi çdo bazë nëntokësore ka pikat e saj të dobëta – hyrjet dhe daljet, kanalet e komunikimit, ventilimit dhe furnizimit me energji elektrike – dhe shënjestrimi i këtyre dobësive mund të paralizojë vendin. Por ndonjëherë kërkohet edhe shkatërrimi i drejtpërdrejtë fizik.
Për këtë ka disa metoda, që nga bombat e ndryshme të shkatërrimit të bunkerëve deri tek teknikat “plumb për plumb” dhe strategji të tjera. Izraeli ka shpenzuar shumë vite duke zhvilluar opsione, dhe duke përgatitur forcat dhe burimet e nevojshme.
Dhe përgatitja për një sulm të tillë kushton miliarda dollarë, sepse përveç avionëve sulmues, duhen edhe ata që furnizojnë me karburant, avionë zbulimi, njësitë e luftës elektronike, ekipe komandimi, shënjestrimi, kërkim-shpëtimi dhe dronë goditës dhe zbulues.
Skenarët e mundshëm të sulmit, janë praktikuan gjatë disa sulmeve ajrore të Forcave Ajrore izraelite në Jemen. Stoku përkatës i municioneve për një operacion
të tillë mbahet në rezervë si i paprekshëm. Përveç forcave dhe agjentëve specialë izraelitë, shërbimet e inteligjencës dhe operativët lokalë në Iran mund të kryejnë gjithashtu operacione sabotuese, madje edhe luftarake, duke përdorur mjete të ndryshme, si në tokë ashtu edhe në ajër.
Për një detyrë të tillë, Izraeli do të përdorë çdo aset të mundshëm nga arsenali i tij, në hapësirë, ajër, tokë, mbi ujë, dhe nën ujë, ai dhe në hapësirën kibernetike. Natyrisht, nëse presidenti Trump do të vendoste të godiste vetë objektet bërthamore të Iranit, fuqia ushtarake e SHBA-së mund ta zgjidhte vetë këtë çështje.
Por nëse Trump arrin në përfundimin se as një sulm i SHBA-së apo i Izraelit, nuk është i dobishëm në këtë moment – nëse favorizon përdorimin e sanksioneve ekonomike, apo edhe arritjen e një marrëveshjeje me Iranin – presidenti amerikan do të ketë një ndikim të madh mbi qeverinë izraelite.
Pastaj, edhe një operacion i suksesshëm kundër objekteve bërthamore të Iranit, nuk do ta zgjidhte plotësisht problemin iranian, sidomos duke pasur parasysh se bazat mund të riparohen ose rindërtohen. Situatën mund ta ndryshojë vetëm një ndryshim i regjimit në Teheran.
Ndërsa prodhimi i raketave balistike të Iranit, u ndërpre pjesërisht nga sulmi ajror izraelit më 26 tetor 2024, rezervat ekzistuese lejojnë ende vazhdimin e sulmeve raketore ndaj Izraelit, të paktën si në shkallën e sulmeve të prillit dhe tetorit 2024.
Në këto kushte, Izraeli duhet së pari të forcojë mbrojtjen e tij raketore, kryesisht duke rritur numrin e interceptorëve për sistemet Arrow-2 dhe Arrow-3 dhe duke vazhduar bashkëpunimin e tij me amerikanët, veçanërisht në lidhje me vendosjen e sistemit THAAD.
Së dyti, duhet të forcojë kapacitetin e tij sulmues për sulme të mëtejshme ndaj kapaciteteve raketore dhe dronëve të Iranit, të cilat devijojnë forcat dhe burimet iraniane sulmuese larg objekteve bërthamore.
Pas një operacioni të tillë, Izraeli do të ketë nevojë për mbështetje të vazhdueshme politike, ushtarake dhe financiare amerikane, veçanërisht duke marrë parasysh përshkallëzimin e parashikuar të luftës me Iranin dhe aleatët e tij të mbetur. Prandaj, do të ishte shumë i dëshirueshëm koordinimi i operacionit me SHBA-në.
Nga ana tjetër, një veprim i tillë i guximshëm, pa marrë parasysh pozicionin e SHBA-së, kërkon një vendosmëri të jashtëzakonshme politike, si ajo e treguar nga Menachem Begin në vitin 1981, kur urdhëroi sulmin ndaj reaktorit irakian pa njoftimin paraprak të SHBA-së.
Në kundërpërgjigje, administrata Reagan votoi pro një rezolute kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vonoi dërgesat e armëve në Izrael, dhe e bëri të qartë pakënaqësinë e tij në mënyra të ndryshme. Nën administratën Trump, nëse presidenti kundërshton veprimin izraelit, Netanyahu do të përballet me vështirësi edhe më të mëdha.