Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Ferizaj, ku në malet e fshatit Manastirc është gjetur trupi i pa jetë i një personi që ishte raportuar i zhdukur, i cili dyshohet se është vrarë nga një person tjetër.
Viktima e këtij rasti është 37-vjeçari, Bekim Shabani, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga data 22 janar.
Fotografia e tij ishte publikuar në faqen zyrtare të Policisë në Facebook, ku ishte kërkuar ndihma e qytetarëve për gjetjen e tij.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Ferizajt, sot ka njoftuar se në lidhje më këtë rast është arrestuar një person, i cili dyshohet për vrasjen e viktimës.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”, shkruhet në njoftim.