spot_img
Saturday, February 22, 2025
spot_img

“E vranë apo vrau veten?!”, çastet fatale të djalit të Kadri Hazbiut natën e 28 janarit 89

Shkruar nga Afrim Imaj

Ishte janari i vitit 1989 kur ndërroi jetë Agron Dauti, i biri i ish ministrit të Brendshëm Kadri Azbiu. Lajmin e morën vesh të parët familjarët që jetonin në internim në Kurbnesh. Pastaj tragjedia do të bëhej e njohur edhe për rrethin e gjerë të shokëve të tij. Fillimisht do të ndjehej tronditja për ngjarjen e papritur, mandej interesimi për rrethanat në të cilat ishte vrarë djali i ish ministrit të pushkatuar. Lëndimi do të kapërcente kufijtë e shtëpisë mes malesh e do të pushtonte një opinion të gjerë. Shumëkush që e pati njohur dhe adhuruar futbollistin e fillimviteve 80, do të tronditej nga lajmi tragjik, pa mundur të shkonte më tej në fatin e paracaktuar të familjes së të destinuar për të vuajtur si pjesë e “armikut të partisë e të popullit”. Dhimbja do tja linte vendin heshtjes dhe çdo gjë për vrasjen e djaloshit 30 vjeçar do ti destinohej hamendjeve të gjithëfarëllojta. Dhe Agron Dauti do të shkonte në banesën e përjetshme në prani të katër pesë të afërmeve dhe ndonjë të krisuri që kishte guxuar ti linte lamtumirën e tij shokut të afërt.

Kanë kaluar vite nga çasti mortor i saj përcjellje të dhimbshme diku në rrethinat e Kurbneshit të largët. Rrethanat e martirizimit të djaloshit që e deshi aq shumë jetën dhe sportin, kanë mbetur edhe sot ende të pa zbardhura. Dilema: “E vranë, apo vrau veten?” vazhdon të dominojë sensibilitetet e të gjithë atyre që e njohën dhe i lidhi puna me të. Përballë versionit zyrtar sipas të cilit Agron Dauti u vet shpërthye me dinamit në thellësitë e galerisë në kushtet e një goditje nervore, qëndrojnë me dhjetëra opinione të tjera që bëjnë fjalë për një asgjësim nga të tjerët. Ka madje edhe hamendje që e adresojnë krimin sa te punonjësit e sigurimit, aq edhe te njerëzit që provuan penalizmin e të atit të tij në kohën kur bënte ministrin e Brendshëm. Gjithsesi, misteri i dilemës vazhdon te lëndojë paqen e njeriut që ndërroi jetë kur ende ishte në lulen e jetës…

Petrit Hazbiu dhe paqja e lënduar e të vëllait

Petrit Hazbiu, i vëllai i Agronit është bërë i njohur në Tiranë së fundmi me studion e tij diku në rrugën “Myslym Shyri” ku projekton realitetet e nesërme të qyteteve shqiptare. Emri i mirë që ka krijuar si arkitekt, e mban të angazhuar mbi projekte për orë të tëra. Megjithatë kur troket te zyra e tij dhe i kërkon diçka për Agronin, ai shkëputet paksa nga puna, rrëmbushet nga ngazëllimi dhe fillon të tregojë për ato që ka përjetuar nga bashkëjetesa me të jo vetëm si vëlla, por edhe si një shok i mirë. E ka paksa të vështirë dhe hera herës mundohet të fshehë lotët që i rrjedhin prapa xhamit të errët të syzeve. Pastaj vjen një moment që biseda ngec si me komandë. Është pikërisht çasti kur ti i kërkon të të thotë diçka nga aq sa mban mend nga vrasja e të vëllait dhe rrethanat e saj. Aty Petriti është gati ta prish “kontratën e fjalës” dhe mblidhet në vetvete sikur ti kesh shkaktuar një gjë tronditëse. Teksa i kërkon arsyet e këtij reagimi, ai të kthehet me një mirësjellje të veçantë dhe me pak fjalë të bind natyrshëm për atë që thotë. “Agroni iku pa mbushur ende 30 vjeç. Iku i ri, plotë ëndërr e dashuri. Nuk duam tja lëndojmë paqen aty ku është! Më shumë se rit, këtë e kemi një pakt familjar, një vendim shpirtëror.” Me këto pak fjalë i vëllai i dinamovitit të shquar që nuk jeton më, të ka mbyllur çdo hapësirë për të rrëmuar ditvrasjen e Agronit. Për më tej, ai kërkon të të adresojë tek shokët e tij, me të cilët ishte pranë deri ditën e fundit. Dhe aty për aty të përmend emrin e Viktor Gjikolës, Luigj Gjinit, Gjergj Lucës, Nue Gjikolës, Shpresa Pepkolës…

Gjithsesi, Petriti është i vendosur në bindjen  se i vëllai është interesant me jetën, me gjalljen dhe rininë e tij që pati një shkëlqim të veçantë.

Viktor Gjikola dhe konturet e një vrasjeje misterioze

Viktor Gjikola, ish minatori i dikurshëm i Kurbneshit, tashmë në pesion ka shumë kujtime për Agron Dautin. Për tek ai të adreson i vëllai i Agronit, që e veçon shoqërinë me të, sidomos gjatë periudhës kur punonin të tre në sektorët e vështirë të galerive të nëntokës. Ishte koha kur Viktori për çështje biografie do të mbetej poet i ndaluar, ashtu sikundër do të mbetej i burgosur talenti i Agronit për futbollin. Kjo ishte një arsye më shumë që i bashkonte në ato vite të vështira. Në bisedën me të të bën përshtypje një lloj detyrimi që ndjen për të rrëfyer të pathënat e vërteta, siç shpjegohet ai për djalin e shkëlqyer që mbriti nga Tirana në Kurbnesh dhe u bë miku i minatorëve dhe banorëve të tjerë të zonës. “Ishte njeri i shkëlqyer, i dashur, i afrueshëm, këmbëngulës dhe gjithmonë energjik, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme në të cilat jetonte”, shprehet përmbledhtazi Viktori që siç thotë e ka patur  nga shokët më të mirë që ka njohur. Në këtë linjë me konsiderata e mbresa nga miqësia me Agronin, të cilat i ka ngulitur në kujtesë, Viktori vazhdon gjatë tregimin e tij. Madje diku këmbëngul për ta  dëgjuar me vëmendje. Është një çast ku ai kujton dobësinë e Agronit për nënë Hedon, e cila ishte e sëmurë, me probleme serioze nga zemra. “Hedua për të ishte perëndia”, cilëson miku i ditëve të vështira i familjes Hazbiu, pa harruar të përmendë dashurinë e veçantë të Agronit për nipërit e mbesat që u detyruan për arësye politike të rriteshin jetim me prindër gjallë. Po rrëfimi i tij, ngec pikërisht kur biseda vjen te çasi fatal i janarit 89. Për Viktorin, njeriun e lidhur ngushtë me familjen Hazbiu, dilema “Vrau veten apo e vranë?!” është një mëdyshje që anon më shumë nga kjo e dyta. Megjithatë ai e vlerëson jo shumë të rëndësishëm këtë fakt, pasi cilado të ketë qenë mënyra e vrasjes së tij, tragjedia ishte produkt i sistemit antinjerëzor me emërtimin komunist.  Nuk është ndodhur në ato çaste në vendin e ngjarjes dhe gjithmonë ka dyshuar në  versionin e një vetëvrasjeje. Madje as tani pas 17 vjetësh nuk e beson që ai miku i tij të arrinte deri këtu. Këtë  bindje  e mbështet në argumente, që siç thotë, janë të patjetërsueshme. Dhe fillon ti rreshtojë në mënyrën e vet…

 “E para, Agroni ishte një djalë me kurajë që edhe në kushtet më tronditëse, dinte të delte mbi to. E dyta, jemi në vitin 89 kur ishte konturuar pak a shumë tjetërsimi i sistemit dhe këtë Agroni e ndiqte me shumë vëmendje dhe shpresa. Nga ana tjetër, të gjithë ne që i kemi njohur marrëdhëniet e tyre familiare gjatë kohës së internimit, mbajmë mend kurajën që rrezatonte Agroni tek të tjerët. Dhe më kryesorja, ai ishte një njeri që e përbuzte aktin e vetëvrasjes në çdo lloj rrethane, madje shpesh kur qëllonte biseda për raste të kësaj natyre, ai e quante një lloj krimi.” Interesimit për të shkuar tek e vërteta,  Viktor Gjikola i përgjigjet me shpjegimet që mund të ofrojnë njerëzit që kanë qenë atë ditë pranë Agronit. Këtu, me sa i kujtohet atij, mund të ndihmojë Shpresa Koleka (Pepkola) një nga ekonomistet e ish minierës që ka marrë vesh e para lajmin për vrasjen e tij. Për më tej, sipas mikut të ish futbollistit të martirizuar në minierë mund të ofrojë informacion ish drejtori i minierës Ndue Marku që duhet të ketë marrë vesh pa tjetër kushtet në të cilat ndodhi ngjarja makabre atë mbrëmje janari të vitit 89…

Shpresa Pepkola dhe tronditja e çasteve të para

Ajo ka qenë në zyrë në momentin e shpërthimit që mori jetën e Agron Dautit. Ka qënë nga të parat që është njohur me lajmin tragjik për vdekjen e tij. “Aksident në galeri, është vrarë Agron Dauti!”, kujton ajo thirrjen e një minatori të ri i cili sa kishte dalë nga hyrja e minierës që ishte afër zyrës së saj. “Ua, Goni, djali i Kadri Hazbiut!”, kujton Shpresa tronditjen dhe habinë e shoqeve të saj ato momente. Më tej tregimi i saj ka të bëjë me përjetimet e para pas ngjarjes fatale. “Ato momente të gjithë përmendnin vetëm fjalën aksident, shton Shpresa. Kështu flitej shpesh në raste të kësaj natyre. Fjalën aksident e dëgjova edhe gjatë një raportimi që u bë në telefon pak minuta më vonë. Vazhduan kështu çaste të tëra. Dikush u porosit për të lajmëruar Petritin, të vëllain që atë ditë ishte turn tjetër. Pastaj u dukën dritat e një gazi të Degës së punëve të Brendshme. Pas kësaj thanë se në galerinë ku kishte ndodhur shpërthimi ishin futur ekspertët. Ndërkohë kishte rënë nata. U larguam nga puna me dhimbjen që kishte shkaktuar vdekja aksidentale e Agronit. Të pakën deri në kohën që ishim aty e dinim se kishim të bënim me  një aksident. Vetëm të nesërmen do të dëgjonim në zyrat e ndërmarrjes se ajo kishte qënë një vetëvrasje (!)” Teksa i kthehet kësaj retrospektive të dhimbshme Shpresa Pepkola, vajza nga Bregu që e ka kaluar rininë e saj në këto vise të largëta, të shpalos dyshimet e para që ka ndjerë në ndryshmin e cilësimit të ngjarjes nga aksident, në vetëvrasje. Ndërsa të rekomandon një takim me ish drejtorin e minierës të asaj periudhe, ka dëshirë të të jap edhe konsideratat e saj për Agronin, që siç e mban mend ajo, ka qënë një djalë i kulturuar, i sinqertë dhe shumë fisnik, pavarësisht kushteve teje të vështira në të cilat jetonte. “Një djalë i tillë, me një kurajë të spikatur nuk mund të arrinte kurrë në një akt të till fatal”, përmbledh ajo rrëfimin për njeriun që ka humbur jetën në minierë një ditë janari të vitit 89, në kapërcyellin e sistemeve politike në Shqipëri…

Drejtori Marku dhe “vetëvrasja” zyrtare

Ndue Marku ka qënë drejtor i minierës së Kurbneshit në kohën e tragjedisë së Agron Dautit. Është një tip i mbyllur dhe duket më serioz nga mosha që ka. Megjithatë bëhet shumë disponibël kur i kërkon diçka nga mbresat e tij për Agronin. “Ata ishin dy vëllezër që filluan punë me turne në minierë menjëherë sa mbritën në Kubnesh” tregon ai, “Të dy djem të qetë e të edukuar. U integruan me dinjitet në shoqërinë me minatorët dhe qysh në fillimet e punës fituan respektin e tyre.” Për ish drejtorin e Kurbneshit, fakti që ata nuk i kishin sjellë as shqetësimin më të vogël, madje ishin ndër punëtorët që tejkalonin vazhdimisht normën, ishte diçka domethënëse, pavarësisht “lëndës” që kërkonin fshehtas punonjësit e sigurimit për çdo detaj të jetës së tyre si dy nga fëmijët e “armikut të partisë e të popullit”. Më tej Ndue Marku ndjehet disi ngushtë kur i kërkon të dish diçka nga perceptimi i tij për ngjarjen tragjike të janarit 89. Rrëfimi i tij herë pas here merr profilin e një ndodhie që e ka mësuar nga të tjerët…

“Mbrëmjen që ka ndodhur ngjarja unë isha në shtëpi në Rrëshen. E kam marrë vesh në mëngjes. Në orën 3 pasmesnate trokiti në derë një nga policët e qytetit dhe më tha se ishte vrarë djali i Kadri Hazbiut. U gjenda në zyrë aty nga ora 7. Aty gjeta dhjetra hetues e policë dhe një dysinë ekspertësh që kishin mbritur nga Preokuria e Përgjithshme. Në të gjitha rastet e kësaj natyre ngjarjet ishin mjaftuar me ekspertizën e specialistëve të rrethit. Këtë herë porosia me sa dukej ishte dhënë për të tejkaluar profesionalizmin dhe besueshmërinë e tyre. Kjo ndoshta për nga specifika e emrit të viktimës. Me përfundimet e tyre u njoha sa mbrita. Bëhej fjalë për vetëvrasje në kushtet e një tronditjeje psikike. Më shumë se kaq, unë drejtori i minierës nuk mund të zbardhja version tjetër. Aty për aty dhashë urdhër për të marrë masat e nevojshme për të ndihmuar me aq sa kishim mundësi familjen. Ndërkaq, i pari që më trokiti në zyrë ishte i vëllai i Agronit, Petriti, i cili kishte me vete rrobat me të cilat do të vishte trupin e viktimës që atë moment e kishim sistemuar në një nga zyrat e minierës. Pasi e ngushëllova dhe i shpjegova rrethanat që kishin zbardhur ekspertët, dëgjova vetëm një reagim nga goja e tij: “Zoti drejtor, vëllai im nuk mund ta bënte kurrë këtë, madje ai me shpirtin që kishte nuk mund të therte as një pulë!”. E shoqërova për te trupi i të vëllait dhe komunikova me përgjegjësin e komunales për ceremoninë mortore…”

Kështu e kujton drejtori i minierës së Kurbneshit ditën e ngjarjes së 28 janarit 1989. Ai për çdo gjë i referohet ekspertizës zyrtare, që më shumë se aksident, e cilëson vetëvrasje. Megjithatë, drejtori, përtej pozicionit zyrtar, është  njeri që jo për çdo gjë mund tu besojë letrave. “Më kanë munduar edhe mua dyshimet që dëgjoheshin nën zë atëherë, shton ai në mirëbesim. Madje, kam bërë edhe një lloj investigimi privat, duke u kthyer te njerëzit që kanë qenë dëshmitarë në ngjarje. Po deri tani nuk kam gjetur ndonjë argument të fortë që ta përjashtojë vetëvrasjen…”  Të fundit që ka takuar vetëm para pak kohësh ka qenë Geg Lufi(Shkurti), i cili ka qënë në çastet e fundit në ball të galerisë me Agronin…

Nipi i Dervish Hatixhesë, miku i Agron Dautit

Teksa mjaft nga fëmijët e ish udhëheqëseve komunistë, e kishin vështirë të shoqëroheshin edhe me shokët e fakultetit, Agroni ndjehej mirë në miqësinë e njerëzve të thjeshtë. Duke veçuar këtë tipar të veçantë të tij, Mujo Targaj, tregon për një nga shokët e afërt të Agronit. Shkëlqim Skifteri, i njohur ndryshe edhe si nipi i dervish Hatixhesë, do të futej natyrshëm në shoqërinë e djalit të ministrit. Nëse nuk e lidhte profesioni i punëtorit të thjeshtë, shumë gjëra të tjera do të bëheshin preokupacione të përbashkëta në shoqërinë e veçantë të tyre. “Shpesh pas stërvitjes, apo ndeshjeve të ndryshme, tregon Mujua, Goni do të hidhte në supe çantën sportive dhe do të rendëte me biçikletë për tek lagjja e dibranëve. Shumë herë edhe do të flinte në shtëpinë përdhese duke çmuar fisnikërisë e të zotëve të saj. Çimi për Gonin ishte bërë një vëlla i dytë…” Më tej Targaj kujton rebelimin e mikut të Gonit pas internimit të këtij të fundit në Kurbnesh. Mjaft herë do të rendëte pas alkoolit dhe do të shprehte nëpër lokale çmendurinë e Enverit me familjen e Kadri Hazbiut. Kjo do ti kushtonte edhe ca kohë burg, shton ish futbollisti i “Dinamo”/s që ja ka pëlqyer shumë këtë vlerë interesante të karakterit të Gonit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit