spot_img
Sunday, February 23, 2025
spot_img

Në kujtim të Adem Mripës/ Heroi që u shpëtoi 30 sulmeve me bomba në shtëpi nga serbët, por kurrë s’e lëshoi veriun!

Shkruar nga Nehat Shaqiri

Kur përmendim 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000, kujtojmë njërën nga ngjarjet më të tmerrshme që përjetuan shqiptarët në veri. Në këtë rrjedhë historie, nuk mund të lëmë pa përmendur profesorin Adem Mripa – heroin e pasluftës, i cili me guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tij kontribuoi për shqiptarët në veri, duke mbetur një emër i pavdekshëm në kujtesën tonë kombëtare.

Sot kujtojmë me nderim dhe respekt të madh profesorin dhe atdhetarin Adem Mripa, njeriun që me guximin dhe qëndresën e tij u bë simbol i rezistencës shqiptare. Për më shumë se 30 herë, shtëpia e tij u bë shënjestër e sulmeve me bomba nga forcat serbe, por ai nuk u përkul kurrë.

Adem Mripa nuk ishte vetëm një profesor i devotshëm, por edhe një mbrojtës i flaktë i të drejtave të shqiptarëve. Në kohët më të errëta, ai qëndroi në ballë të luftës për liri, duke mbrojtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar me një vendosmëri të jashtëzakonshme.

Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme, ai nuk e braktisi shtëpinë, duke e shndërruar atë në një fortesë të shpirtit të pathyeshëm shqiptar. Historia e tij është një testament i gjallë i sakrificës dhe heroizmit, një frymëzim për brezat e ardhshëm që nuk duhet ta harrojnë kurrë.

Më poshtë, po e postoj njërin prej shkrimeve të mia, ku është rrëfyer profesori Mripa, në vitin 2014:

Profesori Adem Mripa, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, në një bisedë për gazetarin Nehat Shaqiri, rrëfen gjithçka për jetën e tij dhe vështirësitë që ka përjetuar prej pasluftës e deri më sot, si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët, veçanërisht nga SHIK-u. Ai thekson se vitet e pasluftës kanë qenë më të rënda se vetë lufta, pasi nuk kanë mundur të flenë të qetë asnjë natë.

“Unë prej 15 vitesh nuk e di çfarë është gjumi. Më shumë se gjithçka dua të fle një natë të tërë i qetë. Nuk jam larguar kurrë nga shtëpia ime, as unë e as familja, sepse ata nuk donin të largoheshin pa mua. Rreth 30 herë serbët më kanë hedhur bomba në shtëpinë time, brenda dhe jashtë saj”, thotë Mripa.

Ai falënderon gruan dhe familjen e tij për mbështetjen e palëkundur gjatë luftës dhe për faktin që nuk e kanë lënë vetëm asnjë moment.

“Ne jemi afër urës së Ibrit dhe shihnim qytetin duke u djegur në anën tjetër. Qytetarët kalonin Ibrin dhe iknin, pasi i tërë qyteti ishte në flakë. Fillimisht u dogj pjesa jugore e Mitrovicës, dhe qytetarët e asaj pjese iknin drejt veriut. Kur i pashë çfarë po ndodhte, dola afër urës dhe mora 43 shqiptarë për t’i strehuar në shtëpinë time”, rrëfen Mripa.

Ai tregon se rreth 20 metra larg shtëpisë së tij ndodhet një ndërtesë ku edhe sot veprojnë kriminelët serbë, të cilët kanë organizuar shpërnguljen e shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës.

“Ai grup më erdhi në shtëpi dhe më tha: ‘Keni shumë mysafirë’. Unë u thashë se janë të afërmit e mi. Njëri nga kriminelët, që ishte përgjegjës për përcjelljen e situatës dhe raportimin tek policia serbe, pas një ore më solli policinë serbe në derë. Më trokitën fort dhe më thanë: ‘Kë ke në shtëpi?’. Më urdhëruan që të gjithë të dilnin jashtë. Kur dolën, kriminelët serbë filluan të shanin dhe më kërkuan t’u tregoja se kush ishin me emër dhe mbiemër. Unë fillova t’i prezantoj një nga një”, kujton ai.

Pas luftës, Mripa filloi menjëherë të ndihmonte shqiptarët në veri.

“Fatmirësisht, atëherë hasa në luftëtarë shqiptarë me zemër, si Naim Miftari dhe disa të tjerë, të cilët formuan njësi për të ndihmuar njëri-tjetrin. Ne kishim kontakte me pjesëtarët e ZKZ-së, të cilët bashkëpunonin me NATO-n, pasi kishim shumë probleme këtu. Në anën jugore të Mitrovicës ishte NATO-ja, ndërsa në veri vepronin rojat e urës, të cilët bënin masakra në prani të KFOR-it francez. Unë flas frëngjisht dhe, duke kaluar urën për të dalë në pjesën veriore, rojat e urës u përgatitën të më rrihnin. Francezët më thanë të mos shkoja andej, por disi ia dola dhe shpëtova”, thotë ai.

Mripa tregon se një boshnjak, që punonte në policinë serbe, e kishte paralajmëruar se shqiptarët duhej të largonin gratë dhe fëmijët nga veriu, pasi do të ndodhte një gjakderdhje e madhe.

“Unë ua tregova këtë institucioneve tona, por ata nuk e kanë pasur kurrë problem veriun, as popullatën tonë dhe asnjë nga ata që kanë kontribuar për këtë pjesë. Ne kishim celulat tona të informimit dhe çdo ngjarje që ndodhte në veri e mësonim të parët. Kishim bashkëpunëtorë që rrinin me serbët dhe na tregonin të gjitha planet e tyre, të cilat ne ia raportonim Naim Miftarit dhe Hasan Pretenit. Ata ishin njerëzit kryesorë që siguruan mbijetesën e shqiptarëve në veri”, pohon ai.

Ai shton se kishte paralajmëruar edhe ndërkombëtarët për planet e çetnikëve serbë për të kryer masakra në veri.

“Unë u tregova ndërkombëtarëve, KFOR-it amerikan dhe të tjerëve. Për fat të mirë, ndaluan katër autobusë në kufi që të mos hynin në Kosovë. Por një autobus arriti të kalonte dhe ata çetnikë hynë në Kosovë”, vlerëson ai.

Mripa tregon se Naim Miftari dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë i kishin kërkuar ndihmë për të bartur armatimin dhe për ta shpërndarë te shqiptarët në veri, në mënyrë që të organizonin vetëmbrojtjen e tyre. Disa të rinj dhe të reja u trajnuan për përdorimin e armëve.

“Serbët filluan provokimet ndaj shqiptarëve në veri. Ndërkombëtarët na thanë: ‘Mos i vrisni jashtë, por nëse ju vijnë në shtëpi, mos i lëshoni gjallë’. Serbët më të rrezikshëm ishin ata nga Vushtrria. Një rast ndodhi kur një shqiptar, me armët e furnizuara nga Naim Miftari, plagosi dy serbë”, thekson ai.

Sipas profesorit, qendra e kriminelëve serbë në Mitrovicën e veriut ishte spitali i qytetit.

“Kriminelët serbë që erdhën për të kryer spastrim etnik ndaj shqiptarëve strehoheshin në spitalin e Mitrovicës. Ditën paraqiteshin si të sëmurë, ndërsa natën kryenin krime. Madje, edhe brenda spitalit vrisnin shqiptarët. Nëse dikush i akuzonte për krime, ata thoshin se ishin të shtruar si pacientë”, tregon ai.

Mripa kujton një sulm të rëndë që kishte ndodhur natën e Kurban Bajramit dhe sesi ishte përballur me përbuzjen e institucioneve të Kosovës.

“Nata e Kurban Bajramit ishte një tmerr. Rreth 500 persona erdhën dhe më thyen 1,800 tjegulla të shtëpisë. Shkova në komunë dhe takova kryetarin Bajram Rexhepin. Ai më tha se e kishte informacionin dhe më pyeti: ‘Pse dole?’ Kur i kërkova ndihmë për të blerë tjegulla, më dërgoi te drejtori i urbanizmit. Ai më tha: ‘Pse po rri atje? Nëse do të jetosh me shqiptarë, lëre veriun dhe hajde në jug, atëherë të ndihmojmë’. Unë e dija që ai ishte pjesë e SHIK-ut. Ata merren me kontrabandë në veri dhe nuk u interesonte qëndrimi im këtu”, përfundon ai.

Lavdi jetës dhe veprës së Adem Mripës! Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që e çmojnë lirinë dhe drejtësinë!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit