Bashkëshortja e kryeministrit Albin Kurti, Rita Knudsen Augestad, nuk është pjesë e trupës votuese në Kosovë dhe nuk ka aplikuar për shtetësi kosovare, ndonëse ligjet e Norvegjisë nga viti 2020 lejojnë shtetësinë e dyfishtë.
Ish-anëtari i Vetëvendosjes, Selatin Retkoceri, ka kritikuar këtë fakt, duke thënë se bashkëshortja e Kurtit duhet të ballafaqohet me qeverisjen e tij, sikurse qytetarët e tjerë të Kosovës.
“Duhet ta shijojë fëmija i saj arsimin e Kosovës, që ia servon bashkëshorti i saj. Familja, gruaja, duhet të jetë pranë kryeministrit, sidomos kur ai çdo ditë e ka plot gojën luftë, armë e bukë”.
“Ata duhet të jenë këtu sikurse familjet tona, sepse nëse do të ketë luftë, siç e proklamon çdo ditë kryeministri, duhet ta shijojnë edhe ata”, tha Retkoceri.
Ndërkohë, gazetari Ardian Gaxherri e ka cilësuar këtë si një anomali për shtetin e Kosovës.
“Kjo është një anomali për shtetin e Kosovës. Fakti që nuk ka shtetësi të Kosovës, përveç se është ofendim për ne, është ofendim edhe për kryeministrin. Nuk është në gjendje ta respektojë atë dhe ta mbështesë”, ka deklaruar Gaxherri.