Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”.
Haradinaj iu kundërpërgjigj me argumente duke thënë se angazhimin në luftë e ka shumë të gjatë, ku e përmendi betejën e parë publike më 6 maj të vitit 1997.
“Betejën e parë publike e kam më 6 maj të vitit 1997, kam qenë pjesëmarrës në një luftim me forcat e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, ku është vrarë një bashkëluftëtar, vëllai im dhe është plagosur Rafet Rama”.
“Nëse e merr 6 majin të 97-ës dhe qershorin e vitit 1999, janë dy vite veprime luftarake. Në fund të këtij procesi të gjatë të luftës dhe detyrave me përgjegjësi që i kam kryer, kam marrë gradën, jo më të madhen e UÇK-së, por gradën e parë të Gjeneralit, që është një yll, me të cilën kam vazhduar punën edhe në transformim të UÇK-së në TMK”, tha Haradinaj.
Më tej, Haradinaj tha se gradën e dytë e ka marrë prej NATO-s, të cilën ia ka dhënë një gjeneral gjerman “pra, pikërisht nga vendi ku është rritur zonja”.
“Yllin e dytë e kam marrë në sallën e Parlamentit të Kosovës, ku unë dhe 50 kolegë të tjerë, oficerë të parë të TMK-së atëherë si trupë mbrojtëse, nga është njohur grada prej NATO-s”.
“Më vjen keq që kjo e lëshon në këto nivele. Kjo edhe Albini dhe këto sjellje që po i bëjnë. Mendoj që ata tash po i ndien pasojat që iu është zbuluar kjo agjenda. Sot në Kosovë shumëkush po di ta mat listën e humbjeve dhe dëmeve që i kanë bërë Kosovës dhe unë kam qenë i hershëm që t’i identifikoj këto, me ia heq maskën e me ia heq qeben”, tha Haradinaj.