Kandidati për deputet nga rradhët e PDK-së, Hisen Berisha ka deklaruar se ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla është dezertor lufte.
Sipas Berishes sikur të ekzistonte ligji për lustracion Sveçla nuk do të guxonte kurrë të shkelte në institucione të shtetit.
“Ky është dezertor lufte, pra i pa dinjitetshëm. A e din çfarë thotë ligji i luftës për dezertorët? Pushkatim. A e di çfarë kemi bërë ne për me i shmang, i kemi quajtur të larguar se ne nuk e kishim mundësinë se nuk ishim as shtet, as ushtri për ta pushkatuar dezertorin. Ky është i padinjitetshëm për të qenë në krye të ndonjë institucioni. Këtu ska ligj lustracioni se ky kurrë në institucione të shtetit nuk do të guxonte me shkel. Është ministër i brendshëm, kjo është fatkeqësi”, ka thënë Hiseni.
Ai ka shtuar se fatkeqësia më e madhe e Kosovës është instalimi i siç i ka quajtur ai ‘neo komunistëve’ që sipas tij janë më të rrezikshëm se sulmi nga Serbia.
“Kjo është fatkeqësia më e madhe e Kosovës instalimi i këtyre neokomunistëve, neokomunizmi i këtyre është më i rrezikshëm se sulmi nga Serbia. Ky mashtrues që e ka veshur uniformën e Policisë Speciale të Kosovës bashkë me atë Elbertin kanë hipur në makina të Policisë Speciale të Kosovës, kanë dalë në veri, veshen civil prapë edhe dalin kinse ne jemi duke pirë kafe po këta janë njerëz pa dinjitet dhe pa integritet, ky nuk mundet me qenë ministër”, ka thënë Hiseni.
Berisha është shprehur kështu duke komentuar deklaratën e ministrit Sveçla i cili të hënën në një tubim elektoral në Vushtrri i ka quajtur partitë opozitare ‘bërlloka’.
“Më 9 shkurt, partitë e vjetruara, lidershipin e tyre duhet ta dërgojmë në pensionim të përhershëm. Disa bërlloka të partive të vjetra, thanë se Policia e Kosovës, po sillet si policia e Millosheviqit në veri, si policia e Millosheviqit e cila na ka vra një mijë e 300 fëmijë, gjithsej 13 mijë shqiptarë, na ka dhunuar 20 mijë gra dhe na ka djegë 120 mijë shtëpi. Unë kam një pyetje për ju, këta bërlloka, a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë të kombit tonë?”, ka thënë Sveçla.