Në një intervistë në emisionin “Debat Plus,” ish i burgosuri politik, Kadri Kryeziu ka zbuluar emrat e dy shqiptarëve që ishin pjesë e Drejtorisë/Agjencisë së Sigurimit Shtetëror, e njohur si UDB.
Kryeziu ka përmendur Vesel Krasniqin që sipas tij e arrestoi atë në Prizren, e rrahu, pastaj e transferoi në Prishtinë.
“Vesel Krasniqi ka qenë një nga figura e tyre. Ai më ka marrë. Tri ditë kam ndejt në Prizren dhe pastaj jam transferuar në Prishtinë. Ka qenë traditë dhe si metodë me të lidhë para radiatori. Më ka dhënë disa shpulla dhe pas tri dite m’kanë transferuar në Prishtinë”, ka rrëfyer Kryeziu.
Gjatë rrëfimit të tij, Kryeziu ka përmendur edhe Asllan Sllamnikun që siç thotë ai si pjesëtar i UDB-së, ishte njeri më i besueshëm i Serbisë.
“Asllan Sllamniku, ka qenë i deleguar nga Federata Jugosllave, njeri më i besueshëm i Serbisë. Ka pasë disa që nuk kanë qenë shumë të besueshëm, ju vike gjynah, gardianët kanë pasë ndjesi tjetër, kanë qenë më të kujdesshëm ndaj nesh”, ka vijuar rrëfimin Kryeziu.
Kryeziu ka përmendur edhe gjyqtarin, Orhan Rekathati për të cilin tha se e dënoi në atë kohë së bashku me 20 studenta.
Kryeziu rrëfen se pas daljes nga burgut pas viteve të 90-ta i rastisi të takohet me Rekathatin në një restorant.
Kryeziu tha se pas bisedës së shkurtër që pati me Rekathatin, i njëjti “uli kokën”.
“I tha njëri aty atij, a pe njeh, ky është Kadri Kryeziu. Ai i tha ‘po po, pe njoh’. I thash ‘si je, a je mirë, o burrë i fortë si kalon”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndonëse, Kryeziu përmendi mjaft raste ku rrëfeu tortura nga persona të ndryshëm nuk dha emra tjerë për shkak se tha “ne nuk jemi hakmarrës”.