Prioritet i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në NATO, ka thënë eksperti amerikan, David Phillips.
Ai ka rekomanduar që fokusi në këtë dialog me SHBA-në, të vihet edhe te dialogu Kosovë-Serbi dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, mbi bazën e parimit të reciprocitetit
Ai e sheh si të domosdoshme marrëveshjen për dialog strategjik, të cilën e paralajmëroi presidentja Vjosa Osmani para disa ditësh. Sipas saj, marrëveshja do të përfshijë fusha me rëndësi si dhe do të forcojë partneritetin strategjik mes dy shteteve.
Phillips ka treguar se çfarë çështjesh duhet të adresojë marrëveshja.
“Dialogu strategjik duhet të fokusohet në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe rolin e Kosovës në luftën globale kundër terrorizmit. Dialogu duhet të shqyrtojë anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në NATO, si dhe hapat dhe afatet për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike”, ka thënë Phillips për Kohën.
Dialogu Strategjik mes SHBA-së dhe shteteve të tjera është forum për të thelluar partneritetin mes tyre e që prek disa fusha, si sigurinë, ekonominë dhe lidhjet mes popujve.
Phillips ka thënë se në kuadër të dialogut me SHBA-në duhet të trajtohet edhe dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht parimi i reciprocitetit.
“Dialogu Kosovë-Serbi gjithashtu duhet të adresohet, duke përfshirë hapat që Kosova mund të ndërmarrë për të thyer bllokimin. Nëse Kosova bën lëshime ndaj pakicës së saj serbe, duhet të ketë lëshime paralele edhe nga Serbia ndaj komuniteteve etnike shqiptare në Preshevë”, ka potencuar Phillips.
Përveç Kosovës, edhe Serbia pret të hyjë në dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarë serbë në disa raste kanë thënë se për ta është e rëndësishme që SHBA-të të dëgjojnë mirë qëndrimin serb në lidhje me çështjen e Kosovës.
Por, Phillips thotë se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për ta shkëputur atë prej Rusisë.
“Dialogu strategjik duhet të fokusohet në bashkëpunimin e sigurisë mes Serbisë dhe Rusisë, duke ndaluar një bashkëpunim të tillë në të ardhmen, përfshirë bazat ruse dhe ripërdorimin e armëve”, ka thënë ai.
Sanksionet që Departamenti Amerikan i Thesarit i ka vendosur ndaj 300 subjekteve ruse në botë, përfshirë NIS Petrolin në Serbi, ishin tema qendrore në takimet e zyrtarëve serb me ata amerikanë.
Sa i përket dialogut, zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, pas takimeve në Kosovë e Serbi tha se të dyja vendet të punojnë drejt normalizimit përmes mekanizmave të BE-së.
Gjatë presidencës së Joe Bidenit, përfshirja e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, u bë vetëm nëpërmjet të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
E gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka caktuar sekretar të Shtetit, Marco Rubion si dhe Richard Grenellin përfaqësues për “misione të veçanta”.
Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka përditësuar Urdhrin Ekzekutiv (UE) mbi sanksionet ndaj atyre që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Udhëzimi përcakton kornizën ligjore mbi bazën e të cilave mund të vendosen sanksionet, veprimet që janë të sanksionueshme, llojin e individëve dhe masat që mund të merren.
Presidenti amerikan e arsyetoi urdhrin me zhvillimet rreth ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor.
Mes tjerash sanksionet mund t’i përfshijnë edhe ata që tentojnë ta sfidojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Sipas urdhrit të ri, sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti amerikan i Thesarit, në konsultim me Departamentin amerikan të Shtetit, përcaktojnë të jetë drejtues, zyrtar ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktiviteteve të përcaktuara me rregulloren e mëparshme.
Masat do të vlejnë gjithashtu për personat që ndihmojnë, sponsorizojnë ose ofrojnë mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, pasuritë dhe interesat e të cilit në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.
Ndryshe prej rregullores së mëparshme, masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.